Aktuale

“I kemi të gjitha të dhënat në…”/ Pas faqes së Kuvendit të Shqipërisë, sulm kibernetik edhe në Postën Shqiptare

Një tjetër sulm kibernetik ka ndodhur ndaj institucioneve shtetërore në vend, ku pas hakerimit të faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i “Homeland Justice” ka deklaruar se ka sulmuar edhe sistemet e Postës Shqiptare.

Në një reagim të shpërndarë në “Telegram”, ky grup pretendon se ka arritur të depërtojë në infrastrukturën e institucionit, duke deklaruar se disponon të gjitha të dhënat.

Ata e lidhin këtë sulm me akuza ndaj Postës Shqiptare për bashkëpunim me organizatën e Muxhahedinët e Popullit të Iranit, e njohur për praninë e saj në kampin Ashraf 3.“Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare, të cilët i kanë dhënë autoritet të plotë Pedofilëve të Regjimit të Epstein dhe nuk kanë aspak liri veprimi dhe pavarësi, janë kthyer në shërbëtorë dhe skllevër të paguar për terroristët e Kampit Ashraf 3 për disa muaj me rradhë”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas deklaratës së publikuar, “Homeland Justice” akuzon zyrtarët e institucionit për korrupsion dhe përfshirje në veprimtari që, sipas tyre, cenojnë sigurinë. Grupi paralajmëron gjithashtu për sulme të tjera në të ardhmen.

“Ne kemi faqen dhe të dhënat e Postës Shqiptare në duart tona. Nuk do t’ju lëmë të qetë”, thuhet në reagimin e tyre.

Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Posta Shqiptare lidhur me këto pretendime, ndërsa faqja zyrtare rezulton jashtë shërbimit.

Reagimi i Homeland Justice

Infrastruktura e Postës Shqiptare është hakuar nga Duart e Fuqishme të Homeland Justice 🔥

Posta Shqiptare u sulmua nga Patriotët e Homeland Justice për shkak të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me terroristët e Muxhahedinët e Popullit të Iranit dhe për lehtësimin e rrugës së veprimeve të këqija dhe akteve terroriste të këtij grupi.

Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare, të cilët i kanë dhënë autoritet të plotë Pedofilëve të Regjimit të Epstein dhe nuk kanë aspak liri veprimi dhe pavarësi, janë kthyer në shërbëtorë dhe skllevër të paguar për terroristët e Kampit Ashraf 3 për disa muaj me rradhë.

Duke pasur parasysh se ekzistenca e këtyre terroristëve ka sjellë vetëm fatkeqësi dhe vuajtje për popullin fisnik të Shqipërisë, Homeland Justice e konsideroi detyrë të ndërmerrte veprime kundër kësaj institucioni të korruptuar në qeveri.

Veprimet tona të ardhshme do të jenë më të ashpra, më shkatërruese dhe më të kushtueshme…

Ne kemi faqen dhe të dhënat e Qendrës së Korrupsionit të Postës Shqiptare në duart tona. Nuk do t’ju lëmë të qetë!

Posta Shqiptare, në shërbim të Terrorizmit

Të Ngjashme