Lajme

I mbijetuari i masakrës së Lybeniqit: 54 shqiptarë u vranë më 1 prill dhe 10 të tjerë më 7 prill

Të mërkurën u shënua 27 vjetori i masakrës në fshatin Lybeniq.

I mbijetuari Amrush Ukshinaj, në intervistë për media ka rrëfyer momentet e para të hyrjes së forcave paramilitare serbe në fshat, duke thënë se fillimisht ata u prezantuan si ushtri e rregullt.

Ai ka deklaruar se më 1 prill 1999 janë vrarë 54 persona, ndërsa disa të tjerë kanë arritur të mbijetojnë.

“U përgatit mirë nga forcat serbe për arsyetimin se erdhën në 7 të mëngjesit në Lybeniq u prezantuan se janë ushtri e rregullt forcat e armatosura të Jugosllavisë, në ndër ta Milladin Toplica ka qenë taman ushtarak, i takon disa bashkëfshatar, u thotë ne jemi ushtri i rregullt duhet me lëshu fshatin. Edhe vepruam sipas urdhrave tyre, kur u bëjke ndarja aty unë po i shoh disa njerëz nuk e kanë figurën e ushtarakut, thashë çfarë u bë me ne. Kur e pashë një me nofkën Mërtfi, nuk e njoha por kur e pashë figurën e tij që nuk përngjake me ushtarak. Unë me nënën e kisha plak, edhe e mora për krahu dhe kalova te poshtë kur po vijë po shohë tekat, blindat, edhe e kuptova që nuk është puna e mirë”, ka rrëfyer ai.

“Me 1 pill u vranë 54, 11 janë të mbijetuar, një ndër të mbijetuarit e kanë zënë policia prapë, dhe e kanë dërguar në spital dhe e kanë mbytur në Spital të Pejës. Kur e kem gjetur, me dokumente me krejt kanë manipuluar, kur e kemi gjetur ne pasi jemi kthyer pas lufte në varreza të Pejës e kemi gjetur të trajtuar keq këtë dëshmitar. Pse? Unë kam punuar taksist kam bajtur kufoma prej Beogradi gjithkah, e shtishin në këse edhe ia qitshin numrin këtë e kanë dërguar me viktima të Lybeniqit, kanë manipuluar mjekët aty, shteti jonë nuk merret me atë punë. Ajo ka ndodhur më 1 prill nuk është marrë askush me të me dokumentet që i kam nuk po duan”, ka rrëfyer tutje Ukshinaj.

Ukshinaj ka theksuar se në ditët në vijim, situata në Lybeniq nuk ka përfunduar me kaq.

Ai ka treguar se si më 7 prill janë vrarë edhe 10 persona të tjerë, shumica të sëmurë dhe një grua shtatzënë.

“Kanë ardhur me helikopter dhe kanë hyrë në bjeshkë. Aty i kanë gjetur njerëzit e pambrojtur nuk kanë mundur të ikin edhe i kanë zënë në mal dhe i kanë ekzekutuar”, ka deklaruar ai.

Të Ngjashme