Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj punimeve për ngushtimin e rrugës “Ilir Konushevci”, pranë Xhamisë së Llapit në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si një vendim arbitrar që nuk respekton interesat e banorëve dhe bizneseve.
Mustafa tha se kjo është një nga arteriet kryesore që lidh Prishtinën me Llapin dhe Gollakun, duke kujtuar se rruga ishte zgjeruar në 12 metra gjatë kohës kur Nazmi Mustafa ishte kryetar i Prishtinës.
Ai mbështeti protestat e banorëve, duke theksuar se udhëheqja aktuale e kryeqytetit nuk duhet të eksperimentojë me qytetarët. Sipas tij, vendimet e tilla do t’i lënë banorët të bllokuar, ndërsa ata që i marrin nuk do të përballen me pasojat.
Postimi i plotë:
Pse po ngushtohet rruga Ilir Konusheci, te Xhamia e Llapit. Njëra nga arteriet kryesore për Llap e Gollak dhe nga Llapi. Rrugë që u zgjërua në 12 metra nga koha kur reformatori i madh i Prishtinës, Nazmi Mustafa ishte kryetar. Banorët kanë të drejtë të protestojnë dhe kundërshtojnë, sepse besoj që është vendim arbitrar, cili nuk respekton interesat e banorëve, të bineseve të vogla dhe të qytetarëve të Kosovës. Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët. Kam banuar aty mbi 60 vjet; këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër, ndërsa me fantazitë dhe papërgjegjësinë e tyre i lënë të bllokuar banorët.
