Grabitësit që përdorën Rightmove për të planifikuar vjedhje banesash në Cheshire dënohen me burg. George Pepa, Krisjian Dedndreaj dhe Kristian Gropcaj pranuan fajësinë për një sërë veprash penale
Një grup grabitësish që përdornin Rightmove dhe Google për të planifikuar dhjetëra vjedhje në banesa luksoze në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë dënuar me burg, citon noa.al një raport të BBC.
Katër burrat vodhën sende me vlerë rreth 1 milion paund, përfshirë ora luksoze dhe çanta dizajnerësh, madje kishin vendosur edhe objektiva javore për sasinë e arit që donin të vidhnin.
Kristian Gropcaj, 31 vjeç, George Pepa, 31 vjeç, dhe Krisjian Dedndreaj, 29 vjeç, të gjithë nga West Midlands, si dhe Sidorjan Lleshi, 27 vjeç nga Sheffield, pranuan fajësinë për vjedhjet në Gjykatën Chester Crown.
Ata u dënuan me burg nga nëntë vite deri në 10 vite e nëntë muaj. Endrit Nikolli, 27 vjeç, do të dënohet në një datë të mëvonshme.
Sidorjan Lleshi në foto me sendet që banda vodhi nga shtëpitë
Jade Tubb, partnerja e Nikollit nga Walsall, pranoi gjithashtu akuzën për bashkëpunim në mbajtjen e pasurisë së përfituar nga krimi dhe u dënua me 12 muaj burg, dënim i pezulluar për dy vite, si dhe me 200 orë punë në komunitet.
Gjykatësi Patrick Thompson tha se grupi kishte “vjedhur pa mëshirë”, duke lënë viktimat të përjetonin ankth dhe paranojë.
“Ju u keni marrë diçka që nuk mund të zëvendësohet,” tha ai.
“U keni marrë ndjenjën e sigurisë në shtëpitë e tyre dhe i keni lënë të ndihen të pambrojtur dhe të pasigurt.”
Gjykata dëgjoi se autorët përdornin Google për të kërkuar zona të pasura, për të identifikuar objektivat, dhe më pas shfletonin Rightmove për të studiuar planimetritë e shtëpive.
Më pas hynin në banesa dhe vidhnin para, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Policia sekuestroi para dhe ar, si dhe ora dhe çanta dore të firmave të njohura gjatë kontrolleve të saj
Si një palë atlete nga Primark çoi në zbulimin e grupit
Grupi, me origjinë nga Shqipëria, u lidh me 8 vjedhje në Cheshire, 2 në Middlesbrough, 9 në Derbyshire, 2 në Leicestershire, 5 në Nottinghamshire, 7 në Staffordshire, 2 në Warwickshire, 3 në Birmingham, 3 në Worcestershire, 2 në Hereford dhe 1 në Shropshire.
Policia e Cheshire zbuloi se ata zakonisht hynin në banesa nga kati i parë, shpesh duke përdorur shkallë.
Kjo u mundësonte të shmangnin alarmet që mbulonin vetëm katin përdhes.
Shtëpitë shkatërroheshin teksa kërkonin sende me vlerë, ndërsa çarçafët e krevateve i përdornin si çanta për të transportuar sendet e vjedhura.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, ata janë filmuar duke vjedhur edhe një kasafortë të tërë nga një banesë.
Zbulimi i grupit erdhi kur policia e Staffordshire gjeti ADN nga një vjedhje e kryer me të njëjtën metodë.
Një gjurmë këpuce u bë gjithashtu provë kyçe, pasi u gjet në disa skena krimi.
Edhe pse atletet e përdorura, të shitura nga Primark, ishin të zakonshme, gjurma e shputës së këpucës ishte unike.
Të dyshuarit u arrestuan gjatë një sërë operacionesh, ku policia sekuestroi edhe sende si 13 çanta dizajnerësh dhe 14 ora me vlerë rreth 17,000 paund.
Detektivja Laura Fox nga Policia e Cheshire tha se grupi ishte pjesë e një organizate kriminale të nivelit të lartë, përgjegjëse për të paktën 59 vjedhje të mëdha në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
“Grupi synonte në mënyrë të qëllimshme viktima të pasura, me synimin për të vjedhur sa më shumë sende me vlerë,” tha ajo.
“Nikolli, Gropcaj, Dedndreaj, Pepa dhe Lleshi ishin përgjegjës për kryerjen e vjedhjeve, ndërsa Tubb shpenzonte paratë e përfituara nga këto aktivitete.”
Endrit Nikolli (majtas) dhe Sidorjan Lleshi vodhën ora dhe çanta dore firmato, së bashku me para në dorë
Dënimet përfundimtare:
Lleshi – 10 vite e 9 muaj burg
Gropcaj – 10 vite burg
Dedndreaj – 9 vite burg
Pepa – 9 vite burg
