Sot në Prishtinë është regjistruar bora më e hershme në muajin tetor, me një shtresë prej 10 cm. Kjo është hera e parë që bora ka mbuluar kryeqytetin kaq herët në vit.
Reshjet kanë filluar mbrëmë dhe kanë prekur edhe zonat më të ulëta të Kosovës. Temperaturat kanë rënë deri në 0 gradë celsius, ndërsa erërat kanë qenë të forta në disa vende. Parku i Gërmisë deri në Butovc sot në mëngjes që ishte mbuluar nga dëbora.
Për shkak të borës dhe erës, në Prishtinë janë shkaktuar dëme materiale. Një lis i madh është rrëzuar edhe pranë objektit të RTK-së.
Ekipet e emergjencës kanë dal në terren për pastrimin e rrugëve.
Nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thonë se kjo borë e hershme është një fenomen i pazakontë dhe mund të dëmtojë pemët dhe perimet që nuk janë mbledhur ende. Por nga ana tjetër, bora e tillë ndihmon për përgatitjen e tokës për mbjelljen e grurit dimëror.
“E kishim një verë me temperature shumë të larta do të thotë 42*C janë regjistruar temperaturat më të larta dhe këto çrregullime pastaj ndodhin. Kemi pasur çrregullime në troposferë”, ka thënë Besim Aliu
“Nuk e kanë përfshirë gjithë territorin këto reshje të borës dhe pjesa perëndimore dhe veriperëndimore nuk kemi fare reshje, por në disa vende pikërisht në Ferizaj dhe pjesa jugore dhe jug lindore kemi reshje të borës të cilat do të shkrihen pasi temperaturat do të rriten”, ka shtuar ai.
Nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës raportohet se nuk ka pasur aksidente trafiku me fatalitet, kurse kanë ndodhur 33 aksidente trafiku me të lënduar, 58 aksidente trafiku me dëme materiale dhe janë shqiptuar 1312 tiketa trafiku.
Nga dita e shtunë, reshjet pritet të pushojnë, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje graduale, duke arritur deri në 15 gradë celsius të dielën. Në javën që vjen, pritet stabilizim i motit dhe rikthim i temperaturave mbi 20 gradë.
																									 
														 
																													 
													 

