Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

IKD kërkon hetim për dyshimet mbi manipulimin e votave

 
   

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas raportimeve publike për dyshime mbi manipulime gjatë procesit zgjedhor të mbajtur më 9 nëntor në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke kërkuar zhvillimin e një hetimi të plotë penal mbi këtë rast.

Sipas reagimit të IKD-së, deri më tani Prokuroria e Shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk kanë ofruar dëshmi apo sqarime të besueshme për publikun, gjë që sipas institutit ka krijuar pasiguri dhe ka cenuar besimin qytetar në integritetin e procesit zgjedhor.

“Mungesa e komunikimit të qartë dhe e informimit të plotë ka krijuar pasiguri dhe ka cenuar parimet demokratike mbi të cilat mbështeten zgjedhjet e lira dhe të drejta”, thuhet në reagim.

IKD thekson se, sipas të dhënave të publikuara, gjatë verifikimit të votave janë evidentuar fletëvotime me numra serikë që nuk përputhen me vendvotimin përkatës, si dhe vota pa numër serik. Kjo, sipas institutit, ngre dyshime se votat e një vendvotimi mund të jenë futur në kutitë e një tjetri, ose se janë përdorur fletëvotime të parregullta. Fenomen i ngjashëm, megjithëse në shkallë më të vogël, është raportuar edhe në Komunën e Gjakovës.

KQZ-ja e ka arsyetuar rastin si “gabim teknik” nga kompania që ka shtypur fletëvotimet, “CETIS”, por IKD-ja vlerëson se një përgjigje e tillë nuk mjafton për të shuar dyshimet e ngritura. IKD e konsideron këtë arsyetim të pamjaftueshëm dhe vlerëson se KQZ nuk mund të delegojë përgjegjësitë e saj kushtetuese te një kompani private.

“KQZ është organ kushtetues dhe i pavarur. Delegimi i përgjegjësive tek një kompani private përbën abstenim nga kompetencat dhe përpjekje për t’u shmangur nga llogaridhënia”, thekson IKD.

Sipas institutit, përgjigjja e CETIS nuk mund të jetë përfundimtare, pasi kompania ka vetëm përgjegjësi kontraktuale ndaj KQZ-së, dhe jo ndaj qytetarëve të Kosovës. Prandaj, IKD kërkon që dyshimet të trajtohen përmes hetimeve të mirëfillta penale, duke përdorur metoda shkencore për të vërtetuar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të qëllimshëm.

IKD ka adresuar kritika edhe ndaj Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, e cila, sipas institutit, ka “noterizuar qasjen e KQZ-së” pa ndërmarrë hetime efektive.

“Prokuroria ka abstenuar nga detyrimet e saj për hetim të mirëfilltë penal për dyshimet e ngritura për kryerje të veprave penale”, thuhet në reagim.

Për të siguruar transparencë dhe paanshmëri, IKD i rekomandon Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që, në bazë të nenit 20.2 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit, ta marrë këtë rast nën juridiksion ose ta transferojë në një prokurori tjetër. Kjo, sipas IKD-së, do të garantonte një hetim të pavarur dhe profesional, si dhe informimin me kohë të publikut mbi rezultatet e hetimit.

IKD paralajmëron se mosadresimi i këtyre dyshimeve rrezikon që Kosova të përballet me regres në standardet demokratike dhe humbje të besimit qytetar në zgjedhje.

“Nëse këto dyshime mbesin të patrajtuara, Kosova rrezikon të pësojë regres në organizimin e zgjedhjeve të rregullta si bazament i demokracisë”, përfundon reagimi i IKD-së.