Lajme

IKD: Mosorganizimi i Provimit të Jurisprudencës nga MD shkel ligjin

 
   

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj mosorganizimit të Provimit të Jurisprudencës nga Ministria e Drejtësisë (MD), duke e cilësuar këtë mosveprim si shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës dhe cenim serioz të të drejtave të kandidatëve.

Sipas Ligjit Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës [neni 4.1]: “Organizimi i provimit të jurisprudencës është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë”, derisa paragrafi 2 i po këtij neni parasheh se “Provimi i Jurisprudencës organizohet tre (3) herë brenda një (1) viti kalendarik”.

Megjithatë, IKD thekson se hera e fundit kur MD ka organizuar Provimin e Jurisprudencës ka qenë në afatin e prillit 2025. Gjatë gjithë vitit 2025, është organizuar vetëm një afat, duke mos u përmbushur detyrimi ligjor për tri afate vjetore.

Si pasojë, Ministria e Drejtësisë ka dështuar të organizojë të paktën dy (2), e potencialisht edhe tri (3), afate të Provimit të Jurisprudencës, për të cilat ka pasur obligim ligjor.

IKD vlerëson se kjo situatë përbën shkelje të qartë të ligjit, pasi nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për organizimin e provimit, për aq kohë sa Komisioni për Provimin e Jurisprudencës është funksional dhe ligji përcakton qartë afatet e detyrueshme.

Përtej shkeljes ligjore, IKD thekson se mosorganizimi i provimit cenon rëndë të drejtën në karrierë të juristëve të rinj, të cilët kanë pritje legjitime që ky proces të zhvillohet në përputhje me afatet ligjore. Në mungesë të provimit, kandidatëve u pamundësohet avancimi profesional dhe, në shumë raste, humbasin mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi në karrierë.

“Veçanërisht të prekur janë kandidatët që kanë mbetur në riprovim. Edhe pse këta kandidatë e kanë kaluar pjesën me shkrim të provimit, për shkak të mosorganizimit të afateve të reja, ata nuk kanë mundësi ta finalizojnë procesin, duke u përballur me vonesa dhe pasoja të drejtpërdrejta profesionale”, thuhet në reagim.

Duke mos qenë të qarta arsyet e këtij mosveprimi, IKD i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë pa vonesë dhe të organizojë Provimin e Jurisprudencës në përputhje të plotë me obligimet ligjore, duke garantuar respektimin e ligjshmërisë dhe të drejtave legjitime të kandidatëve.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme