Analisti Ilir Deda ka deklaruar se aleanca politike nuk justifikon heshtjen ndaj shkeljeve të Kushtetutës dhe abuzimeve institucionale.
Ai vlerëson se kriza e tanishme është shkaktuar nga dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni dhe se politika duhet të bazohet mbi interesin e vendit, jo mbi lojëra partiake.
Sipas Dedës, situata mund të ishte parandaluar nëse Kurti do t’i kishte bërë të ditur Osmanit mungesën e përkrahjes për mandat të dytë dhe do të gjendej një figurë konsensuale me opozitën.
Postimi i plotë:
“Aleanca politike” nuk nënkupton heshtje gjatë shkeljeve të Kushtetutës, heshtje kur linçohen kritikët, heshtje përgjatë abuzimit institucional.
Ruajtje “si sytë e ballit” meriton veç interesi i vendit, jo formacionet partiake apo bartësit institucional.
Loja politike me mandatin e dytë të presidentes veq shpërfytyroi politikën partiake që bazohet vetëm në interes për aq kohë sa partitë kanë nevojë për te. Reagimet emocionale i mbesin votuesve që me çdo kusht refuzojnë të jetë mendje ftohtë dhe të kuptojnë që politika s’ka asgjë të bëjë me dashuri.
E sa i përket krizës së tanishme, kjo mund të evitohej lehtë po t’i tregonte me kohë Kurti Osmanit që nuk e ka përkrahjen e tij për mandat të dytë – që do të ishte korrektësia minimale pas një bashkëpunimi 6 vjeçar. Dhe, të gjente me të vërtetë një figurë konsensuale me partitë në opozitë, e jo të luante lojë të fajësimit.
Këtë krizë e ka shkaktuar dëshira për kontroll absolut të çdo institucioni në vend.
