
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Si pjesë e këtyre hetimeve, të mërkurën është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Prokuroria Speciale ka konfirmuar se hetimet janë në fazën fillestare dhe për këtë arsye nuk mund të japë detaje shtesë. Siç thuhet në përgjigjen e tyre, PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit z.Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve. PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga prokuroria.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka akuzuar mënyrën se si është trajtuar intervistimi i tij nga Prokuroria lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas.
Bislimi pas intevistimit nga Prokuroria Speciale, ka shkruar në Facebook se ndonëse ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, intervista njëorëshe e gjysmë nuk përmbante asnjë pyetje që, sipas tij, i drejtohet zakonisht një dëshmitari. Sipas Bislimit, informacionet që ka dhënë mund të ishin siguruar përmes një kërkimi të thjeshtë, pa qenë nevoja për intervistim.