
Ambasadori i Kosovës në Kroci, Martin Berishaj, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Avokati Tomë Gashi ka dhënë detaje, duke thënë se deklarata e Berishajt është sqaruese dhe se beson që do të eleminojë çdo dyshim për aferën e ndërtuar nga gazetari serb.
“Për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot z. Martin Berishaj ka dhënë një deklaratë sqaruese, me të cilën ne besojmë se i ka ndihmuar Prokurorisë për të eliminuar çdo dyshim për aferën e ndërtuar nga gazetari serb, i afërt me shërbimin sekret të Serbisë, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të Profesorit Martin Berishaj, i cili është halë në sy të Serbisë dhe të disave që, me vetëdije apo pa vetëdije, i shtyjnë agjendat e saj”, ka shkruar Gashi.
Ai ka falenderuar prokurorinë, gjersa ka shtuar se Berishaj ka pësuar paksa dëmtim kolateral nga ata.
“Ne i falënderohemi Prokurorisë, e cila përfundimisht besojmë se e ka të kristaltë se Martin Berishaj ka pësuar paksa dëmtim kolateral nga ata që, në mënyrë patologjike, e urrejnë Lëvizjen Vetëvendosje, e posaçërisht Kryeministrin më të mirë që e ka pasur Kosova ndonjëherë, z. Albin Kurti”, ka shtuar avokati.