
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Klinë, lidhur me një incident që dyshohet se ka ndodhur më 28 qershor 2025.
Hetuesit e IPK-së kanë nisur hetimet bazuar në autorizimet ligjore të institucionit, pas një ngjarjeje që raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Ismail Qemajli”, në oborrin e shtëpisë së një qytetari në Klinë.
Sipas gjetjeve fillestare të hetimit, ekziston dyshimi se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj qytetarit në fjalë.
Për më tepër, versioni i paraqitur nga zyrtarët në deklaratat dhe raportet zyrtare është në kundërshtim të plotë me pamjet incizuar dhe provat faktike të disponueshme.
Në përputhje me Ligjin për Inspektoratin Policor të Kosovës, hetuesit kanë rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve të përfshirë, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim me prokurorinë kompetente, do të vazhdojnë veprimet hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë rast.