Lajme

Irani: Nuk ka negociata me SHBA-në pa ndryshim të sjelljes së Uashingtonit

Irani deklaroi të hënën se nuk është aktualisht në negociata me Shtetet e Bashkuara dhe se çdo dialog i ardhshëm do të varet nga ndryshimi i sjelljes së Uashingtonit.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, hodhi poshtë raportimet se Teherani kishte kërkuar negociata me SHBA-në.

“Kjo nuk përputhet me parimet tona. Pretendimet se Irani ka kërkuar negociata janë thjesht raportime”, tha Baqaei, sipas citimit të Anadolu.

Ai theksoi se diplomacia mbetet një mjet për mbrojtjen e interesave kombëtare të Iranit.

“Ne kurrë nuk kemi hezituar të përdorim mjete diplomatike për të mbrojtur interesat tona kombëtare. Ne e konsiderojmë diplomacinë një mjet për të mbrojtur interesat kombëtare të Iranit”, tha ai.

Baqaei shtoi se, ndonëse mund të ketë ndërmjetës që përcjellin mesazhe mes dy vendeve, “Për momentin, ne nuk po zhvillojmë asnjë negociatë me palën amerikane.”

I pyetur për kushtet për rifillimin e bisedimeve, ai tha se SHBA-ja “duhet së pari të demonstrojë sjellje më të përgjegjshme”.

“Shtetet e Bashkuara duhet të mësojnë se si të sillen si një qeveri e përgjegjshme”, tha ai, duke akuzuar Uashingtonin se ka vepruar “si një bandë mafioze” dhe ka shpërfillur ligjin ndërkombëtar.

“Për sa kohë që kjo sjellje vazhdon, nuk mund të shpresojmë të krijojmë një atmosferë të favorshme publike”, shtoi ai.

Të Ngjashme