Lajme

Irani paralajmëron për shkelje të armëpushimit, ndërsa Izraeli urdhëron evakuime të reja në Liban

Pas sulmit më vdekjeprurës izraelit në Liban që nga fillimi i luftës më 2 mars, ushtria izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për disa zona të kryeqytetit libanez, Bejrut duke paralajmëruar për sulme të reja.

Sulmet e 8 prillit, dita kur një armëpushim i SHBA-së me Iranin hyri në fuqi, ishte me vdekjeprurësja që nga fillimi i luftës së Izraelit në Liban, ku mbeten të vrarë më shumë se 254 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, sipas raportimeve të agjencisë Al Jazeera.

Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka thënë se sulmet vdekjeprurëse të Izraelit në Liban “shkelin në mënyrë të hapur” marrëveshjen e armëpushimit, duke paralajmëruar se duart e tyre “qëndrojnë në këmbëz”.

Pavarësisht kësaj, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar të vazhdojë sulmet ndaj, siç thotë ai, Hezbollahut “saherë që të jetë e nevojshme”.

Pala iraniane ka këmbëngulur se armëpushimi në Liban ishte pjesë e marrëveshjes së arritur me SHBA-në.

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif në njoftimin fillestar, ka deklaruar se palët ishin marrë vesh që në armëpushim do të përfshiheshin të gjitha konfliktet e nisura në Lindjen e Mesme, përfshirë ajo në Liban.

Këtë e ka mohuar më pas presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i cili tha se nuk ishte marrë vesh për një gjë të tillë. Të njëjtën e ka bërë edhe kryeministri izraelit.

Negociatat SHBA-Iran janë planifikuar të mbahen të premtën në Islamabad, ku  bazë e negociatave pritet të jetë një plan 10-pikësh i paraqitur nga shteti iranian, rreth të cilit ka pasur raportime kontradiktore që nga shfaqja e tij.

Fati i armëpushimit mbetet tejet i paqartë derisa palët vazhdojnë të kërcënojnë për tërheqje për shkak të mospajtimeve mbi pikat kyçe të tij./teve1.info/

Të Ngjashme