Irani po shqyrton një zgjidhje të pazakontë për pjesëmarrjen e tij në FIFA World Cup 2026.
Federata iraniane dhe autoritetet sportive të vendit pritet t’i propozojnë FIFA-s që ndeshjet e kombëtares iraniane të mos zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, por vetëm në Meksikë, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Kombëtarja e Iranit është pjesë e Grupit G dhe sipas kalendarit aktual duhet të zhvillojë tri ndeshje në tokën amerikane: dy në Los Angeles dhe një në Seattle, kundër Belgjikës, Egjiptit dhe Zelandës së Re. Ndërkohë, qendra stërvitore e ekipit gjatë turneut është planifikuar të jetë në Tucson, në shtetin e Arizonës.
Ministri iranian i Sportit, Ahmad Donyamali, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, deklaroi se kjo çështje do të diskutohet me FIFA-n në javët e ardhshme. “Shpresoj që të krijohen kushtet që djemtë tanë të marrin pjesë normalisht në Kupën e Botës. Është e rëndësishme që të shqyrtohen me kujdes të gjitha aspektet sportive, në mënyrë që pjesëmarrja jonë të mbetet e mundur”, u shpreh Donyamali.
Megjithatë, një ndryshim i tillë në program nuk pritet të jetë i lehtë për t’u realizuar, pasi do të ndikonte në kalendarin e ndeshjeve, në udhëtimet e skuadrave dhe në organizimin e përgjithshëm të turneut.
Tensionet janë rritur pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, ndërsa Tehrani ka reaguar me kundërsulme në rajon. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se “nuk është e përshtatshme” që Irani të luajë në SHBA për arsye sigurie, por autoritetet iraniane kanë kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se vendimet për pjesëmarrjen në turne merren vetëm nga FIFA.
Botërori i vitit 2026 do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik dhe për herë të parë në histori do të marrë pjesë një numër rekord prej 48 kombëtaresh. Turneu do të organizohet në tri vende: SHBA, Meksikë dhe Kanada./Top Channel
