Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se kryetari i partisë ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pasi është përmbushur kriteri statutar i mbështetjes me nënshkrimet e së paku një të tretës së delegatëve të Kuvendit.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë në përputhje me Statutin e partisë dhe procedurat e brendshme organizative. Kuvendi i Jashtëzakonshëm do të mbahet të enjten, më 30 korrik, ndërsa pritet të trajtojë zhvillimet e fundit brenda LDK-së dhe çështjet që lidhen me organizimin dhe drejtimin e partisë.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një pronocim për gazetën “Bota sot”, ka shprehur shqetësim për situatën e krijuar brenda partisë para Kuvendit të Jashtëzakonshëm, duke paralajmëruar se LDK rrezikon të dalë e përçarë dhe e dobësuar.
Ai u bëri thirrje të dy krahëve të tregojnë maturi dhe të mos dëmtojnë partinë për interesa personale apo të jashtme.
“Më duhet të them se jam shumë i brengosur me tensionet dhe përplasjet brenda LDK-së. Ka rrezik real që LDK të dalë nga ky kuvend shumë e përçarë dhe e dobësuar. Ende është i paqartë epilogun i Kuvendit dhe nuk dihet fati i Lumir Abdixhikut. Por, një gjë është e sigurtë-LDK-ja nga ky kuvend nuk do të dalë më e fortë. Është shumë e qartë se brenda është një konflikt i ashpër i interesave. Kjo nuk ka të bëjë me asnjë lloj reforme, sepse reforma nuk është ndërrim i njerëzve.
Unë shpresoj që të dy krahët t’i thirrini arsyes dhe të mos e shkatërrojnë LDK-në për interesa personale apo për interesa të huaja, jashtë LDK-së” – deklaroi ai për “Bota sot”.
