Lajme

​Ish-kongresmeni amerikan DioGuardi: Mezi pres t’ju takoj në Amerikë pas fitores

Në prag të finales historike kundër Turqisë, Kombëtarja e Kosovës ka marrë një urim të veçantë nga njeriu që bëri historinë e lobimit shqiptar në Amerikë, ish-kongresmeni Joe DioGuardi.

Përmes një mesazhi emocionues, DioGuardi ka kujtuar betejat e gjata për lirinë e Kosovës, duke e krahasuar suksesin e tanishëm sportiv me qëndresën historike të popullit tonë.

“Kam qenë në Uashington me ju duke luftuar për të drejtat e popullit shqiptar. Do të doja shumë të isha në ndeshje me ju, por megjithatë të gjithë e dinë se çfarë keni arritur. Keni bërë diçka që është thuajse e pamundur; keni mposhtur shtete të mëdha”, u shpreh ai.

DioGuardi, i cili ka qenë arkitekti i mbështetjes amerikane për Kosovën në momentet më të vështira, theksoi se kjo ndeshje do ta lartësojë reputacionin e shqiptarëve në mbarë botën. Duke evokuar figurën e kryeheroit Skënderbe, ai dha bekimin e tij për fitore ndaj Turqisë.

“Ju keni shpirtin, keni një histori të tërë duke luftuar përballë vështirësive të mëdha. Mjafton të mendosh se çfarë ka arritur Skënderbeu. Do të doja të isha me ju kundër Turqisë, por mezi pres t’ju takoj në Amerikë kur të ktheheni me fitore”, përfundoi mesazhi i tij.

Të Ngjashme