Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ish-shefi i ATK-së, Ilir Murtezaj, zyrtarizon angazhimin politik në PDK – kandidon për deputet!

 
   

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka konfirmuar se do të garojë në zgjedhjet e 28 dhjetorit si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës.

Murtezaj, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në institucionet publike dhe si profesor universitar, njoftoi vendimin e tij përmes një deklarate publike.

Duke treguar se ditëve të fundit ka marrë oferta të shumta profesionale dhe politike, por ka zgjedhur t’i bashkohet PDK-së pas ftesës së kryetarit të kësaj partie, Bedri Hamza.

“Ditëve të fundit kam pasur oferta të ndryshme për angazhimin tim profesional, si dhe oferta për angazhim politik. Mirëpo, duke e vlerësuar lart ofertën e Kryetarit Bedri Hamza dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për t’iu bashkuar ekipit të fitores në partinë shtetformuese, PDK-në, u ndjeva shumë i nderuar për besimin dhe mundësinë e ofruar që t’i shërbej vendit dhe shoqërisë në një dimension tjetër.”

Ai theksoi se përvoja e tij profesionale dhe akademike përbën një bazë të fortë për angazhimin e tij të ri.

“Përvoja ime profesionale në fushën e ekonomisë dhe financave, si dhe rezultatet e jashtëzakonshme në udhëheqjen e Administratës Tatimore – të vlerësuara nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare – së bashku me përvojën time akademike, përbëjnë një garanci për qasjen time të drejtë, profesionale dhe të përgjegjshme në këtë mision të ri.”

Vizioni dhe programi i PDK-së kanë qenë vendimtarë në këtë zgjedhje, thotë tutje Murtezaj.

“Duke u bazuar në programin me objektiva të qarta, në qasjen dhe vizionin e lidershipit të PDK-së për t’u ofruar qytetarëve zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qeverisje të përgjegjshme dhe llogaridhënëse, vendimmarrja ime për ti thënë PO kësaj ftese ishte shumë më e lehtë.”

Në fund të deklaratës së tij, Murtezaj u është drejtuar qytetarëve me premtimin se angazhimi i tij do të jetë në shërbim të interesit publik.

“Të nderuar qytetarë, ju siguroj se i gjithë angazhimi im do të jetë vetëm në shërbim të interesave tuaja, duke punuar pa rreshtur për një ekonomi më të zhvilluar, një klimë më të mirë për biznesin dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët.

Na priftë e mbara!”.