Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se është gjetur një lëndë plasëse “me fuqi të madhe shkatërruese” gjatë një hetimi rreth kërcënimeve ndaj infrastrukturës së gazit në afërsi të kufirit me Hungarinë.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami, këtë e ka cilësuar si një spektakël politik të radhës nga Vuçiq, duke thënë se po përdor narrativin e frikës dhe pasigurisë për të krijuar panik në publik.
“Politikat destruktive të Vuçiqit në raport me Ballkanin Perëndimor janë të njohura, sidomos ndaj Kosovës”.
Ai thekson se kryeministri hungarez, Viktor Orban, si aleat i tij, e ka përforcuar mesazhin, duke deklaruar se autoritetet serbe kanë gjetur eksplozivë shkatërrues pranë infrastrukturës kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë.
“Ish-ministri i propagandës dhe informacionit të Millosheviqit ka ndryshuar vetëm formën, por jo përmbajtjen e agresionit politik në rajon,” tha Islami, duke theksuar se njoftimi për shpërthimin është pjesë e një strategjie për të nxitur panik dhe tension në rajon.
Po ashtu, gazetarë investigativë në Hungari kanë ngritur dyshime se rasti i pretenduar i zbulimit të eksplozivëve mund të jetë pjesë e një operacioni të inskenuar politik, në prag të zgjedhjeve parlamentare më 12 prill.
Balas Kaufman publikoi një mesazh që thotë se e ka marrë më 25 shkurt nga një burim brenda qeverisë hungareze, sipas të cilit një “sulm” ndaj interesave hungareze në Serbi mund të përdorej për të justifikuar masa të jashtëzakonshme.
“Serbia, serbët ose rusët do të nisin një ‘sulm’ ndaj interesave hungareze në tre javët e ardhshme… Qëllimi i Orban-it është të vendosë një gjendje të jashtëzakonshme,” thuhet në mesazhin e publikuar nga Kaufman.
Informacione të ngjashme ka bërë publike edhe gazetari Szabolcs Panyi nga redaksia investigative Direkt36.
Ndërkaq, lideri i opozitës hungareze, Peter Magyar, i cili konsiderohet favorit në zgjedhjet hungareze të planifikuara për javën e ardhshme, tha se ngjarjet në Serbi me eksplozivët e dyshuar të gjetur përfaqësojnë një “operacion me flamur të rremë”.
Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar edhe eurodeputeti austriak Helmut Brandstätter.
Në rrjetin social X, ai shkroi se inskenimi i Orbanit për eksploziv në gazsjellës, është “histori idiote”.
“Pra, nuk mund të kishit shpikur një histori më idiote se kjo”, shkroi Brandstätter.
Ekspertët e konsiderojnë se bashkëpunimi midis Serbisë dhe Hungarisë përshtatet me strategjinë më të gjerë të Fidesz në Ballkan, duke u mbështetur në marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Pekinin.
“Këto lidhje shpesh i vendosin Beogradin dhe Budapestin në konflikt me Brukselin dhe, sipas ekspertëve, shërbejnë si mjet për zgjerimin e ndikimit rus në Evropë, duke synuar gjithashtu mbajtjen e Orbanit në pushtet”.
