Lajme

Ismaili: Kosova është në rrugë të mirë për të tërhequr një shumë rekord të investimeve të huaja direkte

Kosova është në rrugë për të tërhequr një nivel rekord të investimeve të huaja direkte, pasi vlera e vitit të kaluar tejkaloi për herë të parë në histori 1 miliard euro, kështu është shprehur Guvernatori i Bankës Qendrore së Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili për median ndërkombëtare Bloomberg.

Guvernatori Ismaili tha se investimet e huaja direkte, të cilat u rritën me 30 për qind në baza vjetore në vitin 2025, u nxitën nga investimet në patundshmëri, shërbime si dhe në sektorët e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike. Sipas tij, ato erdhën kryesisht nga diaspora e vendit.

“Ne besojmë se ky ritëm do të vazhdojë për disa vite dhe kjo do të jetë një bazë shumë e mirë për rritje”, tha Guvernatori Ismaili për Bloomberg News.

Ekonomia e vendit varet nga remitancat, të cilat përbëjnë rreth 13 për qind deri në 14 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP).

Pjesa më e madhe e kësaj mbështetje vjen nga diaspora e Kosovës në Gjermani dhe Zvicër.

Ndërsa, remitancat më parë ushqenin sektorin në rritje të patundshmërive dhe konsumin e brendshëm, vitet e fundit është vërejtur një zhvendosje drejt aktiviteteve të tjera investuese.

Guvernatori Ismaili u shpreh optimist për perspektivën ekonomike të Kosovës pas disa vitesh me rritje rreth 4 për qind.

Ai shtoi se kjo normë mund të jetë edhe më e lartë nëse vendi arrin të përparojë në aspiratat e tij për anëtarësim në Bashkimi Evropian. Përvoja e vendeve të tjera që i janë bashkuar bllokut tregon se rritja mund të marrë një shtysë të madhe nga anëtarësimi në BE.

Në rastin e Kosovës, kjo mund të nënkuptojë edhe një zgjerim me dy shifra, sipas tij.Megjithatë, anëtarësimi në BE varet nga një sërë faktorësh, ndër të cilët edhe pajtimi i Kosovës me kundërshtarin e saj të kohës së luftës, Serbia, që mbetet një pengesë e madhe për këtë proces. Aktualisht ka pak dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Vitin e kaluar, Banka Botërore e hoqi vendin nga Lista për Vendet në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit (FCS/FCV), duke sinjalizuar se nuk e klasifikon më si zonë të paqëndrueshme apo me rrezik të lartë konflikti.

Të Ngjashme