Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ismajli përkujton Bardhyl Ajetin: Plumbi që e ndali jetën e tij, nuk arriti të ndalojë mesazhin e tij

 
   

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Gjilanit ka përkujtuar sot gazetarin e gazetës “Bota sot” Bardhyl Ajeti në 20 vjetorin e atentatit.

Në një postim në Facebook Ismajli tha se Bardhyl Ajeti ishte zëri i së vërtetës, një mbrojtës i fjalës së lirë.

Ismajli u shpreh se plumbi që e ndali jetën e Bardhylit nuk arriti ta ndalojë mesazhin e tij për lirinë e shprehjes.

Postimi i plotë:

Sot bëhen plot 20 vjet nga vrasja e gazetarit dhe veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare, Bardhyl Ajeti.

Ai nuk ishte thjesht një gazetar. Bardhyli ishte zëri i së vërtetës, një mbrojtës i fjalës së lirë dhe një idealist që besonte se fjala e shkruar mund të ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e më të lirë. Përkushtimi i tij ndaj lirisë së Kosovës dhe angazhimi për të vërtetën e bënë atë një simbol të kurajos dhe guximit.

Plumbi që e ndali jetën e tij më 3 qershor 2005, nuk arriti të ndalojë mesazhin e tij. Ai vazhdon të jetojë në kujtesën tonë, në çdo rresht të shkruar me ndershmëri dhe në çdo përpjekje për një media të lirë e të përgjegjshme.

Lavdi jetës dhe veprës së Bardhyl Ajetit! Nderim për të gjithë ata që, si ai, flijuan gjithçka për të vërtetën dhe për bërjen e Republikës!🙏