Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Izraeli kryen sulme të rënda gjatë natës në Gaza, raportohet për fillimin e ofensivës tokësore

Izraeli ka bombarduar rëndë qytetin e Gazës gjatë natës, mes raportimeve të pakonfirmuara se forcat izraelite kanë nisur një ofensivë tokësore të gjerë për të pushtuar të gjithë qytetin.

Sipas burimeve të mediave amerikane si Axios dhe gazetës The Jerusalem Post, ushtria izraelite mund të ketë filluar tashmë operacionin tokësor, ndonëse nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Njëkohësisht, janë raportuar edhe sulme ajrore në pjesën qendrore të Rripit të Gazës – në drejtimin ku po përpiqen të arratisen mijëra banorë. Autoritetet palestineze bëjnë me dije për rritje të ndjeshme të numrit të të vdekurve dhe të plagosurve, shkruan BBC.

Intensifikimi i sulmeve vjen pas paralajmërimeve të gjata për një pushtim të plotë tokësor të qytetit, i cili është shtëpia e qindra mijëra palestinezëve.

Kjo ndodhi vetëm pak orë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, takoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, ku rikonfirmoi “mbështetjen e palëkundur” të SHBA-së për Izraelin.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, shkroi në rrjetin X në orët e para të mëngjesit të së martës: “Gaza është në flakë”, duke shtuar se Izraeli “nuk do të tërhiqet dhe nuk do të ndalet – derisa misioni të përfundojë.”

Gazetarët lokalë në Gaza raportojnë për sulme të pandërprera ajrore, goditje artilerie dhe të shtëna armësh. Shumë shtëpi janë shkatërruar, ndërsa ka njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Izraeli u ka kërkuar banorëve të Gaza City të evakuohen drejt jugut të territorit, por shumë nuk kanë mundësi ekonomike të largohen, ndërsa të tjerë thonë se jugu nuk është më i sigurt për shkak të sulmeve të vazhdueshme edhe atje.

IDF vlerëson se rreth 250,000 palestinezë janë larguar nga Gaza City, por besohet se qindra mijëra të tjerë ende ndodhen në qytet.