Izraeli ka njoftuar për një fazë të re të luftës me Iranin, ndërsa SHBA-ja paralajmëroi se sulmet do të “rriten ndjeshëm”. Gjatë natës, sulmet izraelite goditën kryeqytetin iranian, Tehran.
Shefi i Shtabit të Forcës Mbrojtëse të Israelit (IDF), gjenerali Eyal Zamir, tha se ushtria ka përfunduar fazën fillestare të “goditjes së befasishme” dhe tani po kalon në fazën tjetër të fushatës, duke paralajmëruar hapa të tjerë të papritur. Ai theksoi se sulmet do të intensifikohen ndaj bazave të regjimit iranian dhe kapaciteteve të tij ushtarake, shkruan The Guardian.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se “fuqia e zjarrit mbi Iranin dhe mbi Teheranin do të rritet në mënyrë dramatike”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave në Iran, duke e quajtur këtë “humbje kohe”, por la të kuptohet se do të dëshironte largimin e strukturës udhëheqëse të Iranit.
Ndërkohë, ushtria izraelite kreu edhe sulme të reja ndaj objektivave të Hezbollah në Beirut. Qindra mijëra banorë në periferinë jugore të qytetit u urdhëruan të largohen nga shtëpitë e tyre, duke shkaktuar panik.
Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). njoftoi se ka lëshuar raketa drejt Tel Aviv, pasi një valë shpërthimesh më herët shkaktoi zjarr në një ndërtesë banimi në qytet.
