Pas shpalljes së rezultateve për balotazhin në Prishtinë, simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shprehur të kënaqur me ecurinë e procesit zgjedhor dhe optimistë për të ardhmen e kryeqytetit. Ata theksuan pritjet e tyre për zhvillime pozitive dhe ndryshime që do ta çojnë Prishtinën përpara.
Përparim Rama nga LDK-ja ka fituar me 51.54 për qind ose 46.935 vota, Hajrulla Çeku nga Vetëvendosje ka marrë 48.46 për qind ose 44.126 vota, raporton KosovaPress.
Qytetari uron Ramën për rezultatin e balotazhit
“Uroj me gjithë zemër. Mundi nuk ka shkuar kot, e kanë pasur shumë seriozisht nuk janë shërbyer me të pavërteta por vetëm me të vërteta kanë qenë shumë seriozë, në çdo rast i uroj fitore besoj se ka me qenë shumë e suksesshme kjo garniturë e re”, tha qytetari Ismet Sadiku.
I kënaqur me rezultatet e para të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 është shprehur edhe qytetari Mehdi Visoka.
“Presim projekte më të mira”
“Shumë mirë, po e kam pritur këtë rezultat, tashmë presim sene më të mira”, tha ai.
E për Arsim Gërgurin, fitorja e Përparim Ramës në Prishtinë, është e arritur siç thotë ai, “përkundër sfidave e bllokadave nga pushteti qendror”.
Çfarë sfida pati LDK-ja në Prishtinë sipas këtij qytetari
“Po normalisht jemi shumë të lumtur fitore e arritur përkundër të gjitha sfidave dhe bllokadave nga pushteti qendror që na ka bllokuar që shumë vite për projektet e mëdha për shumë vite të Prishtinës , normalisht që e kemi pritur që populli i Prishtinës qytetarët e Prishtinës do të vedisohen dhe do ta sjellin më të mirën për 4 vitet e ardhshme”, tha ai.
Ndryshime në kryeqytet pret edhe një qytetar. Ai është shprehur i kënaqur me rezultatin për balotazh, duke theksuar se pret zhvillime të mëdha në Prishtinë.
Qytetari pret që Prishtina të shndërrohet në metropol
“Shumë i kënaqur, po e kam pritur këtë rezultat për balotazh, shumë pres ndryshime dhe me të mëdha qe do ta bëjnë Prishtinën metropol, nuk besoj që do të këtë problem sepse problemet që ka pasur ne mandatin 4-vjeçar… Përparim Rama do t’i përfundojë të gjitha punët dhe do të triumfoj përsëri”, tha ai.

