
Qytetarët kanë akuzuar deputetët dhe drejtuesit e partive politike se tash e katër muaj prej kur është mbajtur seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë atrritur të ecin tutje për shkak të inateve.
Ata po ashtu kanë theksuar se askush nga drejtuesit e partive politike nuk po vepron në interes të shtetit.
Omer Halimi e quan gabim se si lejohet të ketë 50 herë votim për një person që nuk i ka votat për kryetar Kuvendi.
Halimi: U bë gabim
“Prej fillimit kur është deshtë të konstatohet Kuvendi, është bërë një gabim se nuk mundet një person me konkurroj shumë herë, deri në 50 herë. Mirëpo ajo e ka të drejtën për shkak se i ka fituar zgjedhjet dhe nuk mundet askush Albinit ose Vetëvendosjes për atë, ajo është e ligjshme”, tha ai.
Sipas tij, problemi nuk është që nuk mund ta konstatojnë Kuvendin, por se partitë dhe kryetarët e tyre janë të inatosur mes vete.
Halimi: Problemi qëndron tek inatet në mes partive
“Këtu është një problem tjetër se këtu janë inatet, nuk është problemi që nuk munden me zgjedh. Janë inatos partitë, janë inatos edhe kryetarët e partive që e dinë për çka dhe Kushtetuta kësaj radhe e shoh si parti , jo si Kushtetutë e shtetit sepse Kushtetuta është dashur me kohë me vepruar, jo me vepruar deri tash. Tash duhet të presim edhe 30 ditë tjera për t’u konstatuar Kuvendi….Partitë duhet ta zgjedhin këtë problem sepse kemi mbet mbrapa tash për tash për shkak se Evropa nuk na pret sepse këtu kanë hyrë inatet… Sa i përket Kushtetutës nuk kam pritur që diçka mundet me bë me shumë se aq… Unë shpresoj dhe besoj që kësaj radhe do të kuptojnë.”, tha ai.
Ardian Krasniqi u shpreh para kamerës se shpreh zhgënjim që për pesë muaj nuk është arritur të formohet qeveria. Ai thekson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Krasniqi: Që 5 muaj nuk mundi t’i bëjë votat
“Dje, e premte ka qenë vendim i Kushtetutës është e vërtetë që e ka shkel ligjin për votën e mbyllur ajo ka qenë kundër deputetëve por për fat të keq duhet të shkojmë në zgjedhje dhe do njëri duhet të fitoj. Qe pesë muaj nuk mundi t’i bëjë votat dhe tash nuk mundet t’i bëjë sepse nuk mundet asnjë parti, nuk mundet të del fituese dhe nesër nëse shkojmë në zgjedhje asnjë parti LDK,PDK, AKK LVV, nuk mundet t’i fitoj 50 %, do të shkojnë 35-40 max do të jetë për një parti politike.”, tha ai.
Ndërkaq, Azem Doda ka thënë shkurtimisht se Gjykata e ka bërë punën mirë dhe në mënyrë të rregullt, por se proceset po shkojnë shumë ngadalë.
Doda: Askush nuk po punon për shtet
“Gjygji në rregull e ka bërë punën, mirëpo vonë, puna po shkon ngadalë…Që 6 muaj vetëm po bëjnë gjumë dhe askush nuk po punon për shtet jo”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese tha të premten, më 8 gusht, se deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur. Po ashtu, gjykata vendosi që një kandidaturë për kryeparlamentar të votohet vetëm tri herë dhe se konstituimi i legjislaturës së nëntë duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.
Në vendimin e publikuar, Kushtetuesja tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Sipas vendimit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.