Në një postim të tij në Facebook, deputeti I Kosovës, Anton Quni ka treguar një histori se si heroi Agim Ramadani ia dha pushkën e vet një ushtari.
Quni shkruan se si një ushtar ankohej për armën e tij gjatë luftës, ndërsa Agim Ramadani kur ia dha pushkën e tij, i tha se ‘me këtë pushkën tënde, unë do t’ja marr armikut një pushkë më të mirë’.
Postimi i plotë:
Ja si armatosej Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Agim Ramadani, njihej për trimërinë dhe vendosmërinë e tij, por edhe për kujdesin ndaj çdo ushtari.
Një histori nga përgatitjet e fundit para se të hynin në Kosovë.
Njëri nga ushtarët e tij ankohet për gjendjen e pushkës së vet, një AK-47. Pa hezitim, Agim Ramadani merr pushkën e ushtarit dhe ja jep atij pushkën e vet, që ishte në gjendje më të mirë. Ndërkohë, ai i thotë ushtarit: “Me këtë pushkën tënde, unë do t’ja marr armikut një pushkë më të mirë!”
Dhe kështu ndodhi. Në Betejën e Zharës, në luftime kundër njësisë elitë të Brigadës së 63-të të parashutistëve serbë, Agimi ia doli të siguronte një nga armët më të avancuara të kohës, një Vector 5,56mm.
Ky veprim tregon jo vetëm shpirtin e tij luftarak, por edhe përkushtimin e tij ndaj shokëve të luftës, duke dëshmuar se një udhëheqës i vërtetë sakrifikon gjithçka për ekipin e tij.

