Analisti Zejnullah Jakupi ka reaguar ndaj debatit publik për numrin e viktimave të luftës në Kosovë, duke bërë thirrje për ndaljen e propagandës dhe fokusim në të dhëna të sakta institucionale. Ai thekson se përgjegjësia për verifikimin e shifrave bie mbi institucionet shtetërore dhe jo mbi individë të veçantë.
Jakupi mbron se kritikat ndaj Shkëlzen Gashi nuk janë të drejta, pasi sipas tij, autori mund të jetë bazuar në burimet që ka pasur në dispozicion, edhe nëse mund të ketë pasur pasaktësi pa qëllim.
Në analizën e tij, Jakupi sqaron edhe dallimin juridik të termit “masakër”, duke theksuar se civilët konsiderohen gjithmonë viktima, ndërsa ushtarët vetëm në raste kur janë jashtë luftimit.
Shkrimi i plotë i Jakupit:
Analizë e masakrave në Kosovë: Dubrava dhe Prekazi në dritën e së drejtës ndërkombëtare
Shkëlzenin po duan ta “hanë të gjallë”!
O popull – ju pseudo-akademikë, patriotë me bateri dhe gjysmë analfabetë – ndaleni hovin e propagandës.
Punoni që të kemi të dhëna të sakta: për heronjtë, dëshmorët, martirët dhe sidomos për numrin e saktë të viktimave, sepse aktualisht nuk i kemi. Kjo është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Mos ia hidhni fajin vetëm një personi – është e padrejtë. Kur financohen botimet nga shteti duhet që institucioni i shtetit në fjalë të jetë në gjendje ta korrigjojë autorin, e librit, të ekspozitës etj.
Gjithsesi, Shkëlzen Gashi ndoshta është i bazuar në ato të dhëna që i ka konsultuar. Mund të jetë që ai i referohet vetëm numrit të viktimave civile, mund të ketë gabime në numra, por besoj pa qëllim. Kjo kampanjë po shfrytëzohet të sulmohet qeveria dhe kuvendi dhe natyrisht autori i ekspozitës. Prandaj nuk është e sinqertë.
Për informim: çfarë konsiderohet një masakër gjatë luftës? A përfshihen si viktima vetëm civilët, apo edhe ushtarët e vrarë?
Një masakër gjatë luftës zakonisht nënkupton vrasjen e qëllimshme dhe në shkallë të gjerë të njerëzve, shpesh në mënyrë brutale dhe jashtë çdo norme ligjore apo etike.
Kush konsiderohet viktimë?
Kjo varet nga konteksti, por në përgjithësi:
• Civilët: janë pothuajse gjithmonë viktima të një masakre, sepse sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare duhet të mbrohen dhe nuk duhet të jenë objekt sulmi.
• Ushtarët: mund të konsiderohen viktima vetëm në raste specifike – kur janë dorëzuar, të plagosur, të paarmatosur ose të ndaluar dhe megjithatë vriten. Nëse vriten gjatë luftimeve të rregullta, kjo nuk quhet masakër, por pjesë e luftës.
Kaq për fillim. Nga kjo pikëpamje, është e mundur që disa keqkuptime apo gabime të kenë lindur pikërisht nga mënyra se si interpretohen këto kategori.
Lufta në Kosovë (1998–1999) përfaqëson një nga konfliktet më të rënda në Evropën e fund-shekullit XX, ku shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare ishin të shumta. Ndër ngjarjet më të diskutuara janë masakra në Burgun e Dubravës dhe sulmi ndaj familjes së Adem Jasharit në Prekaz. Edhe pse të dyja konsiderohen gjerësisht si masakra, ato paraqesin dallime të rëndësishme në aspektin juridik, sidomos lidhur me statusin e viktimave dhe natyrën e përdorimit të forcës.
Masakra e Burgut të Dubravës, e ndodhur në maj 1999, përfshinte vrasjen e një numri të madh të burgosurish shqiptarë të Kosovës. Këta individë ishin të ndaluar dhe nën kontroll të autoriteteve, çka i vendos ata në kategorinë e personave “jashtë luftimit” (hors de combat). Sipas Konventave të Gjenevës dhe të drejtës zakonore të luftës, këta persona gëzojnë mbrojtje të plotë dhe nuk mund të jenë objekt i sulmeve. Edhe në rastet kur disa të burgosur mund të kenë pasur lidhje me UÇK, statusi i tyre në momentin e vrasjes – të çarmatosur dhe të izoluar – është vendimtar. Për këtë arsye, vrasja e tyre përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe klasifikohet qartësisht si krim lufte, madje potencialisht edhe si krim kundër njerëzimit nëse provohet se ishte pjesë e një politike të organizuar.
Në anën tjetër, sulmi ndaj familjes Jashari në mars 1998 në Prekaz paraqet një situatë më komplekse juridikisht. Adem Jashari dhe disa anëtarë të familjes së tij ishin luftëtarë aktivë, çka i bënte objektiv legjitim ushtarak. Megjithatë, në të njëjtin kompleks ndodheshin edhe shumë civilë – gra, fëmijë dhe të moshuar – të cilët nuk merrnin pjesë në luftime. Parimi i dallimit kërkon që palët në konflikt të bëjnë gjithmonë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, ndërsa parimi i proporcionalitetit ndalon përdorimin e forcës së tepruar që shkakton humbje të panevojshme në mesin e civilëve.
Në këtë kontekst, edhe pse ekzistonte një objektiv ushtarak në Prekaz, shkalla e lartë e dhunës dhe numri i madh i viktimave civile e bëjnë këtë rast të konsiderohet gjerësisht si masakër. Nëse provohet se forcat sulmuese kanë injoruar praninë e civilëve ose kanë përdorur forcë joproporcionale, atëherë veprimet e tyre përbëjnë krim lufte. Për më tepër, nëse sulmi ishte pjesë e një fushate më të gjerë kundër popullsisë civile shqiptare, ai mund të kualifikohet edhe si krim kundër njerëzimit.
Praktika e gjykatave ndërkombëtare ka theksuar vazhdimisht se statusi i viktimës në momentin e sulmit është elementi kyç për kualifikimin juridik. Edhe individët që kanë qenë më parë luftëtarë, nëse janë të dorëzuar ose të pafuqishëm, konsiderohen persona të mbrojtur. Po ashtu, prania e objektivave ushtarake nuk justifikon sulmet ndaj civilëve dhe as përdorimin e forcës së tepruar.
Në përfundim, si masakra e Dubravës ashtu edhe ajo e Prekazit përbëjnë shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare, por me dallime në strukturën juridike të analizës. Rasti i Dubravës është më i qartë, pasi përfshin viktima që ishin plotësisht jashtë luftimit, duke e bërë atë një krim lufte të drejtpërdrejtë. Ndërsa rasti i Prekazit kërkon një analizë më të thellë për shkak të përzierjes së luftëtarëve dhe civilëve, por mbetet i konsideruar si masakër për shkak të vrasjes së civilëve dhe përdorimit të forcës joproporcionale. Në të dy rastet, thelbi i vlerësimit juridik mbetet mbrojtja e jetës së civilëve dhe respektimi i rregullave themelore të luftës.
