Lajme

“Janë dy mundësi”, analisti ‘zbulon’ çfarë pritet të ndodhë me çështjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime të ndara me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Takimet vijnë në një moment kyç, kur afatet kushtetuese po afrohen dhe kërkohet sigurimi i votave të mjaftueshme në Kuvend.

Sipas deklarimeve publike, Kurti ka theksuar nevojën për një proces të rregullt dhe institucional, duke shtuar se “presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe përfaqësuese e të gjithë qytetarëve”.

Ai nuk ka bërë publik asnjë emër, duke lënë të hapur mundësinë e një kandidature që mund të sigurojë mbështetje më të gjerë politike.

“U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Hamzën.

Nga ana tjetër, Bedri Hamza ka theksuar se PDK-ja do të shqyrtojë çdo propozim që garanton stabilitet institucional, por ka nënvizuar se vendi ka nevojë për “një president me integritet të lartë dhe mbi interesat partiake”. Ai ka lënë të kuptohet se konsensusi mbetet i vështirë pa një ofertë konkrete.

Ndërsa, të nesërmen pas takimit me Hamzën, Kurti u takua edhe me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Ky i fundit ka kërkuar transparencë në proces dhe respektim të plotë të Kushtetutës, duke theksuar se LDK-ja nuk do të mbështesë një kandidaturë që nuk reflekton unitet dhe përgjegjësi shtetërore. Sipas tij, “presidenti duhet të jetë garant i funksionimit demokratik dhe jo produkt i kalkulimeve të ngushta politike”.

Megjithëse takimet janë cilësuar si konstruktive, ato nuk kanë prodhuar marrëveshje konkrete. Në mungesë të një konsensusi të gjerë, mbetet e hapur mundësia që procesi të hyjë në raunde të vështira votimi në Kuvend, apo edhe të çojë vendin drejt një situate të re politike nëse dështon zgjedhja e presidentit.

Gjersa kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues, në media pos kandidaturës së Vjosa Osmanit, nuk ka shprehur gatishmëri ndonjë emër tjetër për këtë post.

U raportua për një president nga familja Jasharaj, por Murat Jashari sot në një intervistë për media ka mohuar një gjë të tillë.

Jashari, ka thënë se e ka bërë të qartë që s’ka ambicie për t’u përfshirë në politikë, sa herë që i është përmendur emri për këtë çështje.

Ai ka thënë se nuk ka të drejtë as morale e as profesionale që ta përdor emrin e familjes Jashari për kalkulime politike apo për poste publike.

“Më shumë se gjithçka, për mu si Murat, është emri i familjes Jashari, është barrë e madhe mbi supe. S’kam të drejtë as morale e as profesionale me e fut emrin e familjes Jashari në kalukime politike apo për poste publike.

“Emri jem sa i përket kësaj çështje, çdo herë është përmendë, sa herë ka ardhë çështja e presidentit, emri im është përmendë. Ua kam sqaru protagonistëve që s’kam ambicie politike, pra gjeni një emër tjetër”, ka thënë ai për Vox Kosova.

“I kam bërë të qarta arsyet pse nuk e bëjë”, ka thënë ai.

“Familja Jashari u takon të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë janë të tonit”, ka thënë Murat Jashari.

Analisti Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth zhvillimeve të fundit sa i përket takimeve dhe emrit të ri për president.

Burjani thotë se do të jetë ose një kandidat i Kurtit ose shkuarja në zgjedhje të reja.

Sipas tij, krijohet përshtypja se konsultimet po përdoren për të fituar kohë dhe për të testuar reagimet politike.

“Epilogu pritet të jetë ose një kandidat i Kurtit, ose shkuarja në zgjedhje të reja. Takimet e kryeministrit me liderët opozitarë më shumë duken si përpjekje për kamuflim politik sesa për arritjen e një konsensusi të vërtetë rreth kandidatit të VV-së për president. Kjo tashmë perceptohet gjerësisht në opinion, pasi deri më tani nuk është bërë publik asnjë emër, ndërkohë që afatet kushtetuese po afrohen.

Në thelb, krijohet përshtypja se konsultimet po përdoren për të fituar kohë dhe për të testuar reagimet politike, ndërsa vendimi final mbetet brenda partisë në pushtet. Nëse nuk arrihet një marrëveshje me opozitën, atëherë skenari i zgjedhjeve të reja mbetet alternativë reale”, deklaron Burjani.

Image
Analisti Blerim Burjani

Në fund, ai flet edhe rreth kabinetit qeveritar, gjersa e quant ë stërmadh dhe të paarsyeshëm.

“Nga ana tjetër, kritikat ndaj qeverisjes aktuale lidhen edhe me përbërjen e kabinetit. Kurti ka emëruar një numër të madh njerëzish të panjohur në fusha të caktuara profesionale, të cilët ushtrojnë poste ministrore pa përvojën dhe ekspertizën e duhur. Shpesh krijohet përshtypja se ata më shumë aktrojnë rolin e ministrit sesa e ushtrojnë atë mbi bazën e dijes dhe kompetencës.

Kabineti konsiderohet i stërmadh dhe i paarsyeshëm nga kritikët, duke ngritur dyshime për efikasitetin dhe racionalitetin e strukturës qeveritare. Ministritë, sipas këtij qëndrimi, nuk duhet të shërbejnë si zyra punësimi për militantë partiakë, por si institucione funksionale që udhëhiqen nga profesionistë me integritet dhe përgatitje adekuate”, përfundon Burjani.

Të Ngjashme