Mbrojtja e konsumatorëve, informimi i qytetarëve dhe kontrolli i produkteve në treg janë elemente kyçe për garantimin e sigurisë së produkteve. Këto u thanë në tryezën e diskutimit me temën “Produkte të sigurta, konsumator konfidentë” e organizuar nga Departamenti për mbrojtjen e konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
E para e këtij dikasteri, Mimoza Kusari-Lila,tha se që nga fillimi i mandatit të saj është rritur komunikimi me konsumatorët përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me synimin për të lehtësuar mekanizmat e raportimit dhe për të ngritur standardet për bizneset.
Kusari-Lila: Masa e parë në fillim të këtij viti kishte të bënte me të drejtat e konsumatorëve për çmimet e naftës
“Rastisi që në këtë muaj të ballafaqohemi edhe me sfidën e furnizimit me derivate, një sfidë e cila vjen si rrjedhojë e ngjarjeve gjeopolitike, jo afër nesh, por definitivisht me ndikim tek të madh tek ne, për faktin se të gjitha derivatet që blihen në tregun tonë janë të importuara, andaj edhe masa e parë që u mor në fillim të këtij muaji, me 4 mars, kishte të bënte në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në raport me lëvizjet që mund të bëhen të pakontrolluara për çmimin e naftës”, tha ajo.
Siç tha ajo, Ministria është në fazën finale të krijimit të një platforme për konsumatorët, e cila synon të lehtësojë paraqitjen e ankesave dhe të rrisë transparencën.
Mimoza: Finalizimi i platformës “Bli i Sigurt” dhe hartimit të programit 2026 – 2030 për mbrojtjen e konsumatorit
“Jemi në fazën finale të finalizimit, gjithësisht të finalizimit të platformës Bli i Sigurt, platformë kjo e cila ka filluar të përgatitet më herët, por e cila ende nuk ka arritur të plasohet dhe të jetë e përdorur në masë, por që synojmë me të të lehtësojmë qasjen e ankesave të qytetarëve, shpejtojmë reagimin e mekanizmave mbrojtës dhe sigurojmë transparencë, drejtësi, informim të saktë, zgjedhje të lirë e trajtim të drejtë dhe të barabartë për të gjithë konsumatorët. Krahas punës për funksionalizimin e plotë të Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shumë shpejt do të fillojmë edhe hartimin e programit 2026-2030 për mbrojtjen e konsumatorit. Mbrojtja e konsumatorit Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, do të vazhdojmë përpjekjet drejt forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e konsumatorit në vendin tonë. Prandaj i ftoj të gjithë qytetarët, organizatat jo qeveritare, por gjithashtu edhe bizneset, që mos ta shohin këtë komunikim tonin si çështje e mbizotërimit të institucioneve ndaj kompanive, por më shumë si hapje e dialogut, si përgjegjësi që ata e kanë jo vetëm ligjore, por edhe përgjegjësi shoqërore të korporatës, në ofrim të drejtë, në informim të saktë dhe natyrisht në mbajtje të kualitetit të produkteve dhe shërbimeve që i ofrojnë qytetarëve”, tha ajo.
Se gjatë vitit të kaluar janë trajtuar më shumë se 200 ankesa që lidhen me datën e skadimit të produkteve që marrin konsumatorët, tha udhëheqësi i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Nijazi Shala.
Shala: 200 ankesa më shumë se në vitin 2024 që kanë të bëjnë me datën e skadimit të produktit
“Element tjetër shumë i rëndësishëm për sigurinë e produkteve është edhe informacioni që ofrohet për produktin. Këtu po përmendim etiketat e produkteve, të cilat përmbajnë informacion jetik e për konsumatorët, si përbërja e produktit, mënyra e përdorimit, data e prodhimit apo skadimit. Çështja e etiketës është e rregulluar prej kohësh tash edhe me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, prandaj paraqet një kategori të veçantë të ankesave në kuadër të departamentit. Këtu mund të përmendim ankesat që kanë të bëjnë me datën e skadimit të produkteve që marrim shembull vetëm gjatë vitit 2025 kemi trajtuar më shumë se 200 ankesa të këtyre natyrave”, tha ai.
Ai theksoi se para se një produkt të dalë në treg, ai duhet të kalojë në procese të ndryshme kontrolli dhe testimi. Përveç prodhuesve, sipas Shalës, edhe institucionet përgjegjëse kanë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e qytetarëve nga produktet e rrezikshme.
Shala: Edukimi i konsumatorëve për tu informuar për të drejtat e tyre është i rëndësishëm
“Edukimi i konsumatorëve është gjithashtu shumë i rëndësishëm, sepse kur ata janë të informuar për të drejtat e tyre dhe mënyrën se si duhet të zgjedhin produktet, janë më të vetëdijshëm dhe më të mbrojtur. Prandaj, shkollat, mediat, institucionet, sidomos shoqëria civile, duhet luajnë rolin kryesor në informimin dhe edukimin e konsumatorëve”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Ibrahim Tërshnjaku nga Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit theksoi se për të arritur mbrojtje më efektive të konsumatorëve, qytetarët duhet të jenë të informuar dhe aktivë në raportimin e problemeve.
Tershnjaku: “Duhet të ndikojmë edhe në ngritjen e vëtëdijes që operatorët ekonomik të krijojnë standarde”
“Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, njësia në polici, të gjitha dikasteret nëpër ministritë e ndryshme kanë krijuar dikastere të ndryshme që të marrin informata sa më shumë nga konsumatori i parë. Dhe në këtë drejtim, kemi qenë gjithmonë vigjilent, të saktë që ato ankesa të shqyrtohen në afatin sa më të shpejtë real që është e mundshme dhe operatori ekonomik të ndëshkohet. Në këtë drejtim nuk duhet ta kemi edhe masën edhe karakterin vetëm ndëshkues si organe ekzekutive. Por duhet të ndikojmë në ngritjen e vetëdijes që operatorët ekonomikë të krijojnë kushte dhe standarde higjieno-sanitare që të kemi ushqim të sigurtë. Si mision i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit duhet të jetë edhe zgjerimi i të gjithë zyrave nëpër të gjitha komunat e Kosovës, që informatori i parë të jetë jashtëzakonisht i informuar dhe lehtë të interpretojë apo ta dërgojë mesazhin deri te organet të cilët duhet ta shqyrtojnë atë”, u shpreh ai
Ndërkohë, Elma Krasniqi nga Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se kontrollet në treg po vazhdojnë me intensitet të shtuar për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas saj, nga rreth 3200 ankesa të paraqitura nga konsumatorët, mbi 95 për qind janë trajtuar në përputhje me afatet ligjore.
Krasniqi: Deri tani kemi ndaluar mbi 38 mijë produkte të lodrave të fëmijëve
“Në këto momente kur ne po flasim, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është duke përmbyllur një aksion të gjerë me Doganën e Kosovës, me ç’rast kemi ndaluar mbi 38,000 produkte të lodrave të fëmijëve dhe mbi 400 tasa i kemi sekuestruar në tregun e brendshëm. Vlera e të cilave do të thotë kalon mbi 100,000 euro. Po ashtu, në të njëjtën kohë do të thotë jemi duke zhvilluar një aksion me zyrtarët nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, me qëllim do të thotë mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit të ministres në këtë rast sa i përket respektimit për marzhën tregtare të caktuar për produktet e derivateve të naftës. Përmes aktiviteteve të rregullta, inspektuese, kontrolleve. Drejtori edhe i përmendi që Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit vetëm gjatë vitit që sapo lamë pas ka pranuar mbi 3200 ankesa të konsumatorëve, ku 1493 prej tyre janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Të gjitha të adresuara dhe shqyrtuara në përputhje me të gjitha afatet ligjore”, tha ajo.
