Kryetari i rizgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se pas përfundimit të Kuvendit të Përgjithshëm, partia do t’u rikthehet bisedimeve për formimin e institucioneve.
Ai tha se fillimisht do të diskutohet me Lëvizjen Vetëvendosje për harmonizimin e parimeve, ndërsa çështja e ndarjes së përgjegjësive do të trajtohet në një fazë të mëvonshme.
Avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se rizgjedhja e Lumir Abdixhikut i jep atij legjitimitet dhe autoritet më të madh për të udhëhequr LDK-në, por nuk nënkupton automatikisht një koalicion me LVV-në.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë duhet të bazohet në vullnet politik, programe të përbashkëta dhe interesin shtetëror, me negociata transparente dhe të bazuara në parime.
“Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së është një zhvillim i rëndësishëm politik, pasi i jep atij legjitimitet të plotë për të udhëhequr partinë dhe për të marrë vendime strategjike në emër të saj. Megjithatë, vetë rizgjedhja nuk nënkupton automatikisht se është hapur rruga për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Një vendim i tillë varet nga vullneti politik i të dy subjekteve, nga programet e tyre qeverisëse dhe mbi të gjitha nga interesi shtetëror.
Pas rikonfirmimit, është e natyrshme që Abdixhiku të ketë më shumë autoritet brenda LDK-së dhe më shumë hapësirë për të zhvilluar dialog politik me subjektet e tjera. Një mandat i konfirmuar e forcon pozitën e tij negociuese dhe e bën atë përfaqësuesin legjitim të partisë në çdo proces të mundshëm politik. Megjithatë, çdo negociatë duhet të ndërtohet mbi parime të qarta, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, e jo vetëm mbi ndarjen e pushtetit”, tha ai.
Halilaj vlerëson se një koalicion mes LDK-së dhe LVV-së do të ishte i arsyeshëm vetëm nëse do të shërbente për tejkalimin e krizës institucionale dhe do të bazohej në reforma, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit.
Ai thekson se prioritet duhet të jetë interesi publik dhe funksionalizimi i institucioneve, e jo thjesht sigurimi i numrave për qeverisje.
“Sa i përket mundësisë së një koalicioni LDK-LVV, në rrethanat aktuale një bashkëpunim i tillë mund të konsiderohet vetëm nëse synon tejkalimin e krizës institucionale dhe garantimin e stabilitetit politik. Nëse një marrëveshje ndërtohet mbi program, reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve demokratike, ajo mund të shërbejë si një zgjidhje për vendin. Në të kundërt, nëse një koalicion do të kishte si qëllim vetëm sigurimin e numrave për qeverisje, pa një vizion të përbashkët, do të ishte i vështirë për t’u qëndruar në kohë.
Në fund, përgjegjësia kryesore e të gjitha partive politike duhet të jetë funksionalizimi i institucioneve dhe mbrojtja e interesit publik. Qytetarët presin zgjidhje për krizën institucionale, përmirësim të mirëqenies dhe sundim të ligjit, ndërsa çdo koalicion duhet të vlerësohet mbi bazën e aftësisë së tij për t’i realizuar këto objektiva dhe jo vetëm mbi aritmetikën parlamentare” – përfundon ai për gazetën.
