Të gjitha prokuroritë në vend kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informatave lidhur me dyshimet për manipulim të votave.
Këtë e ka bërë të ditur Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula. Ajo ka theksuar se autorizimet janë dhënë për ato zona ku janë evidentuar dyshime për manipulim dhe ku procesi i rinumërimit ka përfunduar.
“Janë lëshuar autorizime nga të gjitha prokuroritë për grumbullimin e informatave në vendet ku ka dyshime për manipulim të votave dhe aty ku ka përfunduar rinumërimi,” ka deklaruar Pula.
Sipas saj, prokuroritë aktualisht janë në pritje të rezultateve të hetimeve, pas së cilave do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale.
Pula ka theksuar se nuk do të ketë amnisti për askënd që ka shkelur vullnetin e qytetarëve.
Pos Prizrenit, Prokuroritë kanë nisur grumbullimin e informacioneve në Drenas, Gjakovë, Malishevë etj.
