Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​“Ju kanë shtyrë në një cep, duhet të dilni nga aty”, mesazhet e ish-ambasadorit Bosch

 
   

Pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për masa kundër Kosovës, ish-ambasadori i Holandës, Robert Bosch vlerëson se situata është serioze. Ai këshillon ekzekutivin që t’i marrë parasysh kërkesat e aleatëve, edhe pse vlerëson se ato nuk janë qind për qind të justifikuara. Për tensionet që po i krijon Serbia si dhe mosndëshkimin e saj nga BE, diplomati holandez flet në një intervistë.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vendet anëtare i kanë përgatitur, sipas tyre, për shkak se nuk janë ndërmarrë hapat e kërkuar për të ulur tensionet në veri të vendit.

“Ajo që lexova sigurisht duket jashtëzakonisht serioze, por jo aq serioze për shkak të situatës atje, por për shkak të reagimit, veprimit apo çfarëdo qoftë të Komisionit Europian apo Bashkimit Europian, apo si të doni ta quani. Sepse më duhet të them se ata janë jashtëzakonisht agresivë dhe kërcënues me të gjitha llojet e gjërave, kështu që kjo e bën atë kaq serioze. Sigurisht që ju duhet të dorëzoheni ndaj kërkesave të tyre, edhe pse pjesërisht mendoj se ato nuk janë 100% të justifikuara, por sigurisht një nga kërkesat kryesore është që të tërhiqni policinë speciale, forcat speciale të policisë. Gjithsesi, nëse ata e kërkojnë këtë, përderisa nuk keni më polici atje, atëherë sipas meje është në rregull”, thotë ai.

Diplomati, i cili ka shërbyer në Kosovë këshillon Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti që të mos veprojë kundër misionit të aleatëve të shtetit.

“Por, sipas meje ju gjithashtu duhet ta bëni shumë të qartë, shumë më të qartë, se çfarë bëni për të shprehur mendimet tuaja, por mos shkoni kundër misionit të njerëzve që deri tani ishin miqtë tuaj më të mëdhenj; Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, e sidomos Shtetet e Bashkuara, dhe BE-ja në një masë më të vogël, sepse sigurisht që ju ende e keni këtë problemin që pesë vende ende nuk e njohin (Kosovën). Pra, do të thotë që BE-ja është, le të themi, më pak serioze se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të. Por, prapë se prapë ju duhet t’i dëgjoni. Zoti Cleverly, ministri i Jashtëm britanik tha gjithashtu pardje se ju duhet ta bëni atë, edhe nëse ndihet e padrejtë, bëjeni”, thotë ai.

Ndër masat e përmendura nga BE është pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosmiratimin e projekteve nga fondi për investim në Ballkanin Perëndimor dhe pezullimin e financimit të programeve të BE-së.

Kjo është bërë e ditur gjatë kësaj jave nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, i cili ka theksuar se masat janë të kthyeshme nëse ndërmerren hapa drejt shtensionimit të situatës.

Për ish-ambasadorin e Holandës, është e paqartë pse të gjithë këto bëhen kundër Kosovës, kur është Serbia shteti që po i krijon të gjitha problemet.

“Vërtet nuk e di pse janë kaq shumë kundër Kosovës, ndërkohë që problemet i kanë krijuar serbët. Nuk është se ju e keni krijuar problemin, ata (serbët) i kanë krijuar problemet. Pse po dënoheni kaq shumë për atë që bënë serbët. Dhe nuk dua të them nëse pas këtyre është qeveria e Beogradit apo këto grupet e tjera, dy grupet që tani u shpallën organizata terroriste, të cilat gjithashtu mendoj se… pse duhet t’i quani organizata terroriste, mund të thuash se janë organizata kriminale; terroriste sigurisht që është një hap më tej, gjithashtu, kjo nuk ju ndihmon kur ekzagjeroni, sepse tani është koha të përpiqeni të moderoni, të jeni sa më të moderuar. Normalisht ju pala kosovare, keni qenë gjithmonë mjaft të moderuar në krahasim me serbët. Por, dua të them, tani është koha të jeni edhe më të moderuar, sepse arsyeshëm apo paarsyeshëm, sipas meje, paarsyeshëm, ju kanë shtyrë në një qoshe dhe duhet të bëni diçka për të dalë nga ky cep”, thotë Bosch.

Në fillim të muajit qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i kanë prezantuar tri kërkesa kryeministrit Kurti: Qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog.

Bosch thekson se zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.

“Ju jeni ndëshkuar që nuk keni bërë saktësisht atë që ju është thënë dhe sigurisht siç thash, mendoj se është shumë e padrejtë ajo që po ju kërkohet, por sipas meje, ju lutem bëjeni atë gjithsesi, sepse çfarë është gjëja kryesore që kërkojnë dhe që nuk po bëni është të tërhiqni forcat speciale te policisë dhe të gjithë të tjerat, dhe pastaj sigurisht është Asociacioni, por Asociacioni, siç thash, nëse e bëni sipas Gjykatës Kushtetuese nuk është asgjë. Pra, dua të them, ju duhet të dorëzoheni në këto gjëra, kjo është e gjitha ajo që them, sepse nëse bëni atë që thonë ata, ata nuk mund të zemërohen më me ju, sepse atëherë ju e keni bërë atë, dhe pastaj mbani këto zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur dhe nëse nuk marrin pjesë përsëri, atëherë është problemi i tyre, janë ata që e kanë bërë problemin”, thotë ai.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit, kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

Prej atëherë para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

E pas këtyre, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitarë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët i ka mbajtur për gati dy javë.

Ata janë liruar vetëm pas një presioni nga ndërkombëtarët, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.

“Ju arritët deri aty, sepse pas kësaj çështjes së targave të gjitha strukturat u shpërbënë, strukturat serbe të Kosovës, dua të them jo vetëm që dhanë dorëheqjen kryetarët komunalë të tyre, por edhe policia, gjyqtarët dhe prokurorët, të gjithë dhanë dorëheqje, që sigurisht e bëri të gjithë këtë situatë, dhe më pas erdhi në vakum, dhe kjo natyrisht nuk është shkaktuar nga ju, por nga ata që dhanë dorëheqje. Kështu që, dhe çështja e targave ishte gjithashtu, nuk mund të fajësoheni, ata ju fajësuan se i detyruat njerëzit të ndërrojnë targat, por kjo ishte rënë dakord vite e vite më parë, por kjo u shty, dhe u shty, dhe u shty. Nuk mund të fajësoheni për këtë, madje edhe të huajt në atë kohë thoshin se është e arsyeshme, që duhet t’i kenë këto targa, dhe pas kësaj kanë ardhur të gjitha këto”, shprehet ai.

Diplomati nga Holanda thotë se duhet të ketë rend dhe ligj edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Unë nuk e di se çfarë thonë BE-ja apo madje edhe amerikanët, ata thoshin se është mirë dhe tani kur gjithçka shkon keq, ‘ju e keni fajin’. Unë mendoj se është shumë e çuditshme dhe shumë e padrejtë, por puna është se problemi është shkaktuar nga ata, nga serbët, duke u tërhequr totalisht (nga institucionet), sepse atëherë ju keni një situatë që ju nevojitet sigurisht kudo në çdo vend, dhe veçanërisht në një vend si ai ku ligjin dhe rendin tashmë e kishit shumë të dobët. Ju nuk mund të mos keni ligj dhe rend. Duhet të keni polici, dhe pastaj mund të pyesni, a duhet të sjellim policinë speciale apo duhet të sjellim policinë normale, apo edhe policinë e EULEX-it, nuk e di, por dua të them se duhet të ketë polici. Dhe tani sigurisht, po shtyheni nga BE dhe nga amerikanët që duhet të largoni posaçërisht policinë speciale. Në rregull, nëse të kanë kërkuar, në rregull, atëherë duhet ta bëni, duhet të dëgjoni Lajçakun”, thotë ai.

Policia e Kosovës po vazhdon të kujdeset për objektet komunale në veri të vendit, derisa vazhdon edhe prezenca e ushtarëve të KFOR-it.

Bosch vlerëson se trupat paqeruajtëse duhet të vazhdojnë të qëndrojnë atje.

“Sa i përket KFOR-it, sigurisht që KFOR-i duhet të qëndrojë atje dhe të jetë atje (në veri), si një forcë moderatore. Dhe një gjë tjetër që po mendoja, që nuk e di nëse pjesëtaret serbë të Policisë së Kosovës të tërhequr a nuk mund të kthehen, a nuk mund të binden të kthehen, dua të them të njëjtit, jo njerëz të tjerë, por të njëjtit njerëz t’i pyesni, ju lutem kthehuni, ne do t’ju falim për atë që keni bërë, që vetëm jeni zhdukur pa leje, por ju lutemi kthehuni, kjo mund të jetë gjithashtu një mundësi, sigurisht që nuk është plotësisht sipas sundimit të ligjit, por kujt i intereson tani për sundimin e saktë të ligjit, sepse kjo është një situatë jashtëzakonisht e çuditshme. Pra, duhet të bëni diçka për të dalë nga kjo krizë e vërtetë ku ndodhet vendi juaj. Përsëri mendoj se nuk është e drejtë që të të shtyjnë kaq shumë në një cep, por po ndodh, po ndodh dhe pastaj ky është fakti i jetës dhe duhet të arrish të reagosh ndaj tij në mënyrën e duhur, si të rritur, dhe të jesh fleksibël”, thotë Bosch.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për marrëveshje bazë më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa janë pajtuar edhe për aneksin e saj më 18 mars në Ohër.

Ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i gatshëm për të nënshkruar e zbatuar marrëveshjen në plotni ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Kur erdhi në Beograd (Vuçiq), gjëja e parë që tha, gjëja kryesore e kësaj marrëveshjeje, ne nuk e lëmë Kosovën të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, dhe siç tha ai konkretisht, ne nuk do ta njohim kurrë, por edhe kështu ishte në rregull, sepse kjo nuk ishte pjesë e marrëveshjes, njohja, por anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, ishte gjëja kryesore e kësaj marrëveshjeje. Dhe pastaj, gjithashtu, nuk kam dëgjuar askënd të thotë se, ‘nëse e thua këtë zoti Vuçiq, kjo është në të vërtetë që e minon të gjithë këtë që nga fillimi, nuk mund të të shohim më si partner serioz’. Askush nuk e tha këtë. Përkundrazi, unë mendoj se z. Hill dhe z. Borrell thanë se ishte një partner shumë serioz, përsëri, shumë e çuditshme sepse ai nuk është një partner serioz. Ai është i vetmi që menjëherë, pikën kryesore të marrëveshjes këtu ai e minoi, dhe tani z. Scholz u kërkoi sërish të dy palëve që të ulen së bashku dhe të bëjnë diçka, gjë që sigurisht është mirë t’u vendoset dy palëve, por edhe të thuash ‘dëgjo z. Vuçiq nëse nuk e bën, do të kesh pasoja të rënda, sepse të paktën pala kosovare kanë qenë pozitive, por ti ke qenë vetëm negativ’. Pra, sigurisht që duhet të ketë, sipas meje, duhet bërë ndonjë presion apo sanksion, dhe të mos jetë kundër jush, por ndaj Serbisë, sepse janë ata që i kanë shkaktuar këto probleme dhe ende po shkaktojnë probleme, dhe jo vetëm këtu, ne kemi parë edhe atë që ka ndodhur në Republika Srpska”, shton ai.

Ndërsa, lidhur me Asociacionin, Bosch shprehet se Kosova duhet ta formojë atë në përputhje me kushtetutën e vendit dhe “nëse serbët nuk janë të lumtur, është problem i tyre”.

“Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet ta bëni sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, do të thotë se kjo është një Asociacion pa kompetenca ekzekutive. Dhe atëherë cili është problemi për të pasur këtë Asociacion? Sigurisht që atëherë serbët do të thonë, ‘oh, është e tmerrshme, është e tmerrshme’, por është problemi i tyre. Ju e keni kryer detyrën tuaj, e keni bërë këtë Asociacion dhe në përputhje me Kushtetutën tuaj, dhe nëse ata nuk janë të lumtur atëherë është problem i tyre. Por, tani është problemi juaj, sepse ju nuk e keni bërë atë akoma”, thotë ai.

Pas paralajmërimeve të BE-së për ndëshkime ndaj Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka reaguar duke thënë se sa i përket vlerave evropiane, vendi ynë është prej partnerëve më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon.

E lidhur me kërkesat për shtensionim të situatës, shefi i ekzekutivit ka shprehur gatishmërinë për uljen e numrit të policëve në ndërtesat komunale në veri, por duke theksuar se kjo bëhet në proporcion me vendosjen e rendit në atë pjesë.

Në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapet edhe rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.