Lajme

Juristi ‘shuan’ akuzat: Ambasadori gjerman korrekt, Specialja e drejtë dhe e mbikëqyrur nga aleatët

Deklarata e fundit e ambasadorit gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka rikthyer në fokus punën dhe rëndësinë e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ambasadori në një intervistë, deklaroi se, këto dhoma funksionojnë në përputhje të plotë me legjislacionin e Kosovës dhe se ambasada i ndjek me vëmendje të gjitha procedurat gjyqësore që zhvillohen aty.

Në deklaratën e tij, ambasadori theksoi: “Ne i ndjekim këto procese në mënyrë të rregullt. Pavarësisht rezultatit – qoftë dënim apo shpallje e pafajësisë – u bëj thirrje të gjithëve që të respektojnë vendimet e një gjykate të pavarur.”

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili fillimisht potencoi faktin se gjithë procesi në Hagë është përballë me protesta dhe kritika të vazhdueshme.

Në këtë pikë, komentoi edhe deklaratën e ambasadorit gjerman dhe rezgimin nga organizatat e dala nga lufta.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu

“Pas përmbylljes së fjalëve përfundimtare të palëve në proces, me 18 shkurt 2026, tani është periudha kur Trupi gjykues është tërhequr dhe bënë seleksionimin e të gjitha argumenteve, provave, videove, shkresave voluminoze të lëndës, dhe jo vetëm, bënë analizën dhe vlerësimin e tyre veç e veç, me qëllim të marrjes së një Aktgjykimi të drejtë, të bazuar në ligj.

Ky proces gjyqësor është përcjellë me kritika të ndryshme, ndërhyrje, me protesta masive gjithandej. Dhe në këtë vazhdë, ishin edhe kritikat e ashpra të OVL – UÇK-së kundër një deklarate të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, i cili gjatë një interviste, në kontekst të përgjigjes së gazetarit, ai kishte theksuar se Dhomat Speciale janë institucione të posaçme që funksionojnë me Ligjin e Kosovës dhe nëqoftëse ka dënime apo lirime nga akuza, do të ju kërkoja të gjithëve që ta pranojnë vendimin e një gjykate të pavarur.  Organizatat e dala nga lufta, dhe jo vetëm, e kritikuan ashpër këtë delaratë duke ngritur dyshime serioze për një proces të drejtë, dhe duke e cilësuar këte si përpjekje për t’a përgatitur opinionin publik për një vendim që, sipas tyre, “duket se tashmë është i shkruar diku tjetër””.

Pavarësisht kësaj, Musliu nuk e sheh tendencioze dhe me problematike deklaratën e Rudolph, pasi vlerëson se ishte korrekt dhe i matur.

Madje, potencoi se edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it dhe BE duhet ta përcjellin këtë gjykatë, në mënyrë që të ketë proces të drejtë.

“Personalsht këtu nuk shoh kurfar deklarate problematike, qëllimkeqe apo tendencioze. Bëhet fjalë për një përgjigje shumë të matur, korrekte dhe dashamirëse, në veçanti për një diplomat. Madje bëhet fjalë për një deklaratë të ambasadorit që qetëson zërat e OVL – UÇK-së, që kohë më parë deklaronin se nuk do t’a pranojmë asnjë Aktgjykim fajësues, sepse do të organizojmë protesta masive, të cilat mund të dalin jashtë kontrollit.

Jo vetëm ambasadori i Gjermanisë, por së paku Ambasadat e shteteve të QUINT-it në Kosovë si dhe shtetet finansuese të Gjykatës Speciale, dhe BE-ja në përgjithësi, me vëmendje e përcjellin punën e kësaj gjykate, me qëllim që të ketë një proces gjyqësor të drejtë”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, juristi nga Belgjika theksoi se, vendimet e Speciales duhet të respektohen dhe pranohen nga të gjithë.

Në këtë pikë, ai potencoi dy arsye, e një prej tyre është faktin se këtë gjykatë e ka formuar Kuvendi i Kosovës dhe se ajo vepron me ligje të shtetit tonë.

“Konsideroj se, Aktgjykimi i Trupit Gjykues duhet të respektohet, së paku për dy arsye. Së pari, bëhet fjalë për një Gjykatë Speciale që e formuan deputetët e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015 me 2/3 e votave, që është nën juridiksionin e drejtësisë së Kosovës, rrjedhimisht vepron në bazë të ligjeve në fuqi të Kosovës. Bëhet fjalë për gjyqtarë dhe prokuror ndërkombëtar, profesionistë, me përvojë, kredibil, të pashantazhuar, të pandikuar, që nuk mund të krahason me një pjesë të madhe të gjyqtarëve tanë, të cilët janë të shantazhuar, të kapur dhe të inkriminuar. Së dyti, nëse të akuzuarit konsiderojnë se Aktgjykimi i shkallës së parë është i padrejtë dhe bazohet në shkelje të procedurës penale dhe ligjit, ata kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Lartë, pastaj në Gjykatën Supreme dhe së fundi në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj nuk mund të jet apriori i papranueshëm Aktgjykimi i shkallës së parë, sepse instancat e larta mund t’a korigjojnë ate.

Tek e fundit, ashtu sikurse në gjykatat e Kosovës, të gjitha Aktgjykimet mund të ankimohen në të gjitha instancat, mirëpo kur Aktgjykimi merr formën e prerë, ajo domosdoshmërisht duhet të zbatohet. Prandaj kjo nuk mvaret nga vullneti apo dëshira e dikujt se, a e pranon apo jo verdiktin, por ligji duhet të implementohet”, shtjelloi Musliu.

Më tej, ai u tregua kritik me OVL-UÇK-në, duke akuzuar edhe për ndërhyrje në drejtësi, gjë për të cilën dy udhëheqës të saj edhe ishin dënuar.

Me këtë rast, ai kundërshtoi edhe narrativën se në Hagë po gjykohet UÇK-ja dhe jo individët.

“Nëse bëhet fjalë për veprime tendencioze, ndërhyrje dhe pengim në administrimin e drejtësisë me qëllim të kontaminimit dhe prishjes së provave, këte në mënyrë sistematike e kanë bërë pikërisht OVL-UÇK-së, për çka edhe vet krerët e tyre Gucati dhe Haradinaj kanë qenë të dënuar. Madje, në vijim e sipër janë edhe dy procese gjyqësore për ndërhyrja në administrimi e drejtësisë.

Prandaj nuk duhet dramatizuar dhe nuk duhet të bëhet propagandë në opinion, siç veprojnë organizatat e OVL-UÇK-së, dhe jo vetëm, që e kanë uzurpuar monopolin mbi « të vërtetën » e tyre për UÇK-në. Mbështetja e narrativës së gabueshme që u ndërtua përmes një propagande të egër dhe të rrejshe nga çlirimi e këndej, duke deklaruar se të akuzuarit në Hagë po e mbrojnë UÇK-në, mund të kthehet në bumerang, sepse, nëse ata dënohen, atëherë do të del se në Hagë është gjykuar dhe dënuar UÇK-ja, e jo ata që e keqpërdorën UÇK-në për interesa të veta. Mbase, sikur të gjykohej UÇK-ja, atëherë me autoatizëm në bankën e të akuzuarve do të ishte edhe NATO-ja, e cila e kishte rolin kryesor në çlirimin e Kosovës”.

Në fund, juristi shtoi se, ata që po e sulmojnë Specialen, nuk po e mbrojnë, por po e dëmtojnë rëndë UÇK-në.

“Organizatat e OVL – UÇK-së bashkë me disa media mercenare, me të ashtuquajtur gazetar dhe analista, politikan të PDK-së, AAK-së, dhe jo vetëm, ndër vite në opinion bëjnë propagandë, duke u shtirur se po e mbrojnë UÇK-në, në realitet, ata po e dëmtojnë rëndë dhe pakthyeshëm UÇK-në, kurse po i mbrojnë ata që kanë keqpërdorur UÇK-në, që në opinion njihet si « Shtabi i Rognerit » dhe konsiderohet si organizatë e strukturuar kriminale, e cila përmes likuidimeve të kundërshtarëve politik dhe ushtarakëve të devotshëm të FARK-ut, me dhunë erdhi në pushtet”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

Të Ngjashme