Publicisti Kadri Kryeziu ka komentuar gjendjen politike në vend, duke thënë se Albin Kurti po hyn pothuajse i pa sfiduar në vitin e gjashtë të mandatit të tij qeverisës, gjë që sipas tij përbën “një anomali politike të mundësuar nga paaftësia dhe mungesa e koordinimit të partive opozitare”.
Sipas Kryeziut, në çdo sistem funksional opozita e sheh si detyrim kufizimin e pushtetit ekzekutiv, ndërsa në Kosovë “retorika ka zëvendësuar veprimin”. Ai thekson se deklaratat për media dhe statuset në Facebook nuk prodhojnë zgjedhje dhe vetëm simulojnë aktivitet politik duke maskuar mungesën e strategjisë.
“Po të kishin partitë opozitare vullnet të vërtetë për zgjedhje, realiteti politik do të dukej ndryshe: do të kishte koordinim, qëndrime të qarta dhe veprim institucional”, shkruan ai.
Kryeziu vlerëson se opozita, me ose pa vetëdije, po e ushqen narrativën e kryeministrit Kurti, duke i rritur hapësirën dhe duke e lënë qeverisjen e tij “të papenguar”. Kjo, sipas tij, i mundëson Kurtit të operojë në qetësi dhe të ndërtojë formacionin e tij politik e institucional pa rezistencë serioze.
Ai shton se problemi kryesor është mungesa e një opozite të mirëfilltë, duke përmendur edhe qasjen e Lumir Abdixhikut dhe, siç thotë ai, deri dje edhe të Memli Krasniqit, të cilët “besojnë se spektakli publik mjafton për të sfiduar kryeministrin”, gjë që sipas tij është dëshmuar e kundërta.
Në fund, Kryeziu thekson se demokracia e Kosovës ka nevojë urgjente për “opozitë profesionale, të koordinuar dhe me energji reale politike”.

