Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kadri Kryeziu paralajmëron partitë shqiptare: Serbët po kërkojnë veton në Kuvend!

 
   

Kadri Kryeziu ka reaguar lidhur me ngërçin institucional në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se thelbi i problemit nuk është zgjedhja apo jo e nënkryetarit nga komuniteti serb, por një strategji e mirëkalkuluar nga Lista Serbe për të bllokuar funksionalizimin e Kuvendit.

Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Kryeziu shkruan se nuk konteston të drejtën e komunitetit serb për të pasur përfaqësim institucional, përfshirë edhe pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, por paralajmëron se kërkesa e Listës Serbe shkon përtej përsëritjes së votimit, përcjell “Bota sot”.

“Lista Serbe nuk po kërkon vetëm votim të ri. Ajo po synon që Gjykata Kushtetuese të shpallë se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Masat e përkohshme të Gjykatës janë sinjal i qartë se kjo logjikë po merr përkrahje institucionale,” shkruan Kryeziu.

Ai tërheq vëmendjen se partitë shqiptare në Kuvend – VV, PDK, LDK dhe AAK – duhet ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të mësojnë nga bashkëpunimi i partive serbe, të cilat, sipas tij, edhe pse kundërshtare, po veprojnë me një qëndrim të unifikuar.

“Lista Serbe dhe Nenad Rashiq, edhe pse kundërshtarë të betuar, u bënë bashkë dhe folën me një zë: pa zgjedhjen e nënkryetarit serb, nuk ka Kuvend funksional. Ky është unitet serb për interesin e tyre kombëtar,” thekson Kryeziu.

Në përmbyllje, ai ngre një pyetje kritike për klasën politike shqiptare:

“Pse serbët dinë të bashkohen për kauzën e tyre, e ne shqiptarët bëhemi pikë e pesë, helmojmë njëri-tjetrin dhe shpesh edhe kombin tonë?