Procesi i rinumërimit për një të tretën e vendvotimeve ka filluar më 13 janar dhe deri më tani është përfunduar në 19 komuna, me 316 vendvotime nga 914 gjithsej.
Ndryshimet në votat për kandidatët brenda partive janë të dukshme: PDK ka pasur 7.719 vota të modifikuara, LVV 2.947, LDK 1.676 dhe AAK 639.
Juristi Blerim Burjani, ka thënë për “Bota sot”, tha se ndryshimi i numrit të votave për qëllime ose përfitime personale përbën vepër penale.

Juristi Blerim Burjani
Ai thekson se prokuroria duhet të ndërhyjë, duke kujtuar se më herët disa persona janë dënuar me 6 muaj burg dhe gjoba për vepra të ngjashme.
Burjani shton se sistemi aktual i rrumbullakimit të votave për 10 kandidatë është manipulativ, abuzues dhe favorizon vjedhjen brenda partive, dhe këto probleme janë shkaktuar nga të gjitha partitë.
“Kjo është edhe vepër penale, tash është detyrë e prokurorisë të merren me personat që për qëllime apo edhe përfitime kanë ndryshuar numrin e votave, kjo duhet të ndëshkohet, besoj se do të reagojë prokuroria, disa dënime më herët janë shqiptuar personave që kane kryer vepra penale, dënimet kanë qenë 6 muaj burg dhe shqiptim të gjobave.
Ky sistem me rrumbullaksu 10 kandidatë është manipulative, abuzues dhe inkurajon vjedhjen brenda llojit të vet, këto vepra janë shkaktuar prej të gjitha partive, “, thekson Bujrani.

