Aktuale

Kaosi me infrasktrukturën/ U përdor për dhjetë ditë si rrugë alternative për Librazhd-Prrenjas, dëmtohet edhe aksi Maliq-Lozhan-Gramsh! Çahet asfalti

Rruga Maliq-Lozhan-Strelcë, e cila për më shumë se 10 ditë u përdor si alternativë nga drejtuesit e mjeteve për të kaluar në drejtim të Gramshit pas bllokimit të aksit Librazhd-Prrenjas, ka pësuar dëmtime të reja.

Qarkullimi i vazhdueshëm i mjeteve dhe rritja e ndjeshme e fluksit gjatë këtyre ditëve duket se kanë rënduar më tej gjendjen.

Përveç rrëshqitjeve të dherave dhe dëmtimit të barrierave mbrojtëse në disa pjesë të këtij aksi janë shfaqur çarje të thella në asfalt dhe deformime të trupit të rrugës.

Edhe pse tashmë mjetet janë rralluar pas rihapjes së aksit kryesor, dëmtimet në rrugë mbeten problemi më i madh.

Deri më tani nuk është ndërhyrë për riparimin e tyre, por kjo rrugë ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të saj.

Aksi Maliq–Lozhan–Strelcë është ndërtuar nga kompania “Gjikuria” dhe investimi për ndërtimin e tij ka kapur vlerën e rreth 1.4 miliardë lekë. Problematikat e përsëritura në këtë rrugë kanë ngritur shpesh pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve. Panorama

Të Ngjashme