E dërguara e posaçme britanike për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, i ka mirëpritur provat e publikuara këtë javë nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë.
Sipas saj, “ato përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në vendosjen e fakteve dhe sigurimin e llogaridhënies për më shumë se 13 mijë persona që humbën jetën ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë, si dhe për mijëra të tjerë që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma”.
Në reagimin e Karen Pierce të publikuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ajo rikujton rëndësinë edhe historike të këtyre të dhënave.
”Ngjarjet tragjike në Kosovë janë ndër periudhat më të errëta të historisë së fundit të Evropës, dhe ne duhet më mësojmë nga mësimet e saj. Paqja e qëndrueshme kërkon që të gjitha komunitetet të përballen me të kaluarën me ndershmëri dhe të punojnë drejt të vërtetës, pajtimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, tha ajo.
Në fund, e dërguara britanike ritheksoi se, tash e sa dekada pas vuajtjeve në përmasa të mëdha të njerëzve, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për të mbështetur paqen dhe sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
