Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Katër njohje të reja, kjo është politika e jashtme gjatë vitit 2025

 
   

Kosova ka përmbyllur vitin 2025 duke siguruar katër njohje të reja ndërkombëtare. Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet kanë njohur pavarësinë e vendit, një zhvillim që është mirëpritur në përgjithësi nga spektri politik dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Megjithatë, këto arritje po shoqërohen edhe me kritika ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme për mungesën e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe për, siç thuhet, regres në raportet bilaterale me vendet aleate.

Madje edhe njohjet e reja nuk konsiderohen direkt si sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare, pasi sipas tyre kanë ardhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike globale. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk kthyen përgjigje për KosovaPress, në lidhje me angazhimin e tyre për vitin 2025.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti dhe drejtimin e diplomacisë së vendit. Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës është “suspenduar”.

Behrami: Kurti, Gërvalla dhe presidentja Osmani e kanë suspenduar politikën e jashtme

“Qeveria Kurti, edhe zonja Donika Gërvalla bashkë me presidenten, e kanë suspenduar politikën e jashtme. E kanë suspenduar fushatën për njohje të Kosovës. E kanë suspenduar aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Ministria e Punëve të Jashtme është boshatisur nga diplomatët me përvojë që kanë pasur trashëgimi në njohje dhe anëtarësim. Janë larguar mbi tridhjetë diplomatë karriere dhe diplomatë të cilët kanë pasur suksese të prekshme. Në vend të tyre, ministria, misionet diplomatike dhe ambasadat janë mbushur me militantë të cilët i shërbejnë jo interesit nacional të Kosovës, por interesave të LVV-së”, thotë ai.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur kritika për mungesë të rezultateve konkrete në diplomaci. Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, ka vlerësuar se nuk ka pasur intensifikim të veprimeve diplomatike gjatë qeverisjes aktuale.

Lushaku: Mirëpresim njohjet e reja, por s’ka anëtarësim në organizata ndërkombëtare

“Diplomacia dhe raporti i Kosovës bilateral me shtetet e ndryshme të botës ndërtohet me seriozitet të hatashëm, ku ke edhe shkëmbim të ambasadorëve dhe përfaqësive, pastaj bën lobim për çështje të cilat janë në interes. Ne nuk kemi parë një intensifikim të këtyre veprimeve diplomatike. S’kemi parë anëtarësime të reja të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërkohë ka pasur njohje simbolike për të cilat edhe kemi aplauduar. Duhet thënë që Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar raporte dhe për t’i mirëmbajtur miqësitë, të cilat nuk janë bërë gjatë qeverisjes Kurti. Kosova ka humbur pozicionin e vet, ka humbur aleancat e veta, s’ka pasur intensifikim ose nënshkrim të marrëveshjeve bilaterale me shtetet mike. Po ashtu, s’ka pasur koordinim për shumë politika, ku do të duhej që Kosova të përfitonte nga situatat e caktuara politike. Për këtë mendoj që ka shumëçka për t’u përmirësuar dhe Kosova e ka humbur pozicionin e saj, për çka do të na kushtojë për vitet e ardhshme”, deklaron ai.

Ndërkohë, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, vlerëson se politika e jashtme e Kosovës duhet parë në një konteksti më të gjerë dhe si reflektim i politikës së brendshme.

Sipas tij, njohjet e fundit nuk mund të quhen sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare, pasi kanë ardhur kryesisht si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike globale.

Arifi: Njohjet e fundit nuk mund të quhen sukses i drejtpërdrejtë i diplomacisë kosovare

“Në politikën e jashtme gjithmonë ekziston një teori që thotë se politika e jashtme është reflektim i politikës së brendshme. Edhe po të kishte qenë Bill Gates dhe Elon Musk ministër i jashtëm, nuk do të mund ta rregullonte politikën e jashtme të Kosovës, pasi ajo lidhet me politikat dhe vendimmarrjen e brendshme, e cila reflekton më pas në politikën e jashtme. Nuk mund ta quaj sukses, pasi njohjet kanë ardhur si pasojë e ndryshimeve gjeopolitike në botë. Duhet kuptuar se normalisht shteti i Kosovës ka merita, por personat shumë pak. Duhet një koherencë e gjatë e punës që të vijë deri te një njohje. Duhet të ndryshojnë rrethanat te një vend për të na njohur. Njohja nga Siria nuk ka ardhur sepse kemi lobuar fuqishëm, por ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimeve brenda Sirisë dhe raporteve Siri–SHBA. Më pas involvimi i Turqisë, Arabisë Saudite dhe disa faktorëve të tjerë kanë ndikuar që të arrihet kjo çështje”, thotë ai.

Kosova para katër njohjeve të reja në vitin 2025, njohjen e fundit e ka pasur në vitin 2020 nga Izraeli, e cila erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova gjatë viteve 2023–2024, ka kaluar dy faza për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mirëpo nuk u përfshi në agjendë në mbledhjen e ministrave të punëve të jashtme të KiE-së, ku vendoset për anëtarësim.

Krahas kësaj, aplikimi i vitit 2022 për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është shqyrtuar ende.