Lajme

Kërçeli thotë se opozita kërkonte garanci pa treguar kandidatët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, tha se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit qytetarët dhanë besim Lëvizjes me 51.1% për qeverisje të vazhdueshme.

Megjithatë, për zgjedhjen e Presidentit kërkohet konsensus me opozitën, e cila sipas tij nuk ka ofruar marrëveshje reale.

Kërçeli theksoi se subjektet opozitare kërkonin garanci pa treguar kandidatët dhe nuk shfaqën interes për bashkëqeverisje, duke mos ofruar një emër konsensual për president.

Postimi i Kërçelit:

Çka ndodhi pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Qytetarët, pavarësisht sulmeve dhe goditjeve, vlerësuan se Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur duke menduar dhe punuar për qytetarët, pa e keqpërdorur paranë publike.

Rritja e pagës minimale, shtesat për fëmijë, shtesat për nënat lehona, bonuset për studentë, studimet pa pagesë dhe shumë punë të tjera që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve, ishin disa nga arsyet pse qytetarët vlerësuan se kjo qeverisje duhet të vazhdojë.

Për këtë arsye, qytetarët i dhanë besimin e tyre me 51.1% për Lëvizjen Vetëvendosje.

51.1%, apo shumica në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është besim për 100% qeverisje. Kështu vlerësuan dhe besuan qytetarët.

Megjithatë, për zgjedhjen e Presidentit kërkohet konsensus edhe me subjektet e tjera politike, të cilat përfaqësojnë 48.9%.

Dhe kështu veproi kryetari i Lëvizjes, njëkohësisht fituesi i shumicës në Kuvend. Ai ftoi dy kryetarët e subjekteve opozitare, ndërsa nga subjekti i katërt tashmë ishte bërë publike një kandidaturë partiake.

Subjektit të parë opozitar i ofruam një kandidat konsensual.

Ajo që duhet ta kujtojmë edhe një herë është fjala “KONSENSUS”.

Por a është konsensus kur pala tjetër kërkon marrëveshje në këtë mënyrë:

• 8 nënshkrime për një kandidat,

• 30 nënshkrime për një kandidat tjetër,

• dhe garanci për votimin e kandidatit të PDK-së,

por pa treguar emrat, pa u pajtuar më parë për dy kërkesat e para?

Pra, kërkohej: na jepni nënshkrimet dhe na jepni fjalën se do ta votoni kandidatin, pa ua treguar fare emrin.

Një marrëveshje me sy mbyllur. A është ky konsensus?

Subjektit të dytë, LDK-së, në qindra paraqitje publike i kemi treguar se kemi 66 vota për presidenten e tanishme, Vjosa Osmani, dhe asnjëherë nuk u deklaruan se edhe 15 votat e LDK-së do të ishin të gjitha për një mandat të dytë të presidentes aktuale.

Po ashtu, u kërkuam edhe një emër konsensual, por nuk pranuan.

Gjatë këtyre bisedimeve nuk u shfaq në asnjë moment interesim për bashkëqeverisje. Madje pati edhe deklarime nga deputetë të këtij subjekti se “të jesh ministër në qeverinë Kurti është idiotesi.”

Dhe të mos harrojmë: në asnjë moment PDK dhe LDK, e ndoshta edhe AAK, nuk u takuan për t’u dakorduar për një emër konsensual dhe për ta paraqitur atë si kandidaturë të përbashkët.

Prandaj shtrohet pyetja:

Cila ishte kërkesa e vërtetë e opozitës?

Dhe në çfarë po shpresohet, edhe sikur vendi të shkojë sërish në zgjedhje?

Të Ngjashme