
Në një postim të fundit në rrjetin social Facebook, avokati shqiptar, Spartak Ngjela reagoi me tone të ashpra ndaj deklaratave të ministrit të jashtëm serb, Marko Gjuriç, i cili pretendon se serbët në Kosovë po përballen me keqtrajtim.
Ngjela e cilëson këtë si pjesë të një fushate të vjetër propagandistike serbe, që sipas tij synon të shtrembërojë realitetin politik dhe historik të rajonit.
Ai sjell në vëmendje kontrastin midis së kaluarës, kur shqiptarët ishin minoritet i shtypur në Jugosllavi, dhe të tashmes, kur serbët përbëjnë një pakicë të vogël në një Kosovë të pavarur dhe të mbrojtur ndërkombëtarisht, përcjell “Bota sot”.
Në këtë postim, Ngjela shpalos qëndrimin në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës dhe të forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan, duke e interpretuar reagimin serb si shenjë frike dhe dobësie përballë realitetit të ri gjeopolitik.
Shkrimi i plotë
Serbia vazhdon kërcënimet ndaj Kosovës.
Ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, gjatë një interviste për Televizionin Publik RTS, përsëriti propagandën e zakonshme duke pretenduar se serbët në Kosovë po vuajnë. (!)
Dhe kjo është gënjeshtra e re që serbët kanë krijuar, por që nuk po besohen fare ndërkombëtarisht.
Fakti që regjimi kriminal serb, shekullor antishqiptar, po ankohet sot se serbët e Kosovës po keqtrajtohen nga shqiptarët e Kosovës, kërkon të balancojë historinë e tyre kriminale antishqiptare, me kohën kur shqiptarët kanë qenë pakicë etnike e trajtuar kriminalisht në Serbi.
Të gjitha këto pretendime janë gënjeshtra, sepse sot Kosova ka monitorim ndërkombëtar dhe shumë trupa ushtarake amerikane janë aty në mbrojtje të shtetit të ri të Kosovës.
Koha tani ka ndryshuar në favor të shqiptarisë në Gadishullin tonë; por pretekstet për të sulmuar Kosovën, gjoja në mbrojtje te pakicës serbe; janë manovrime të të dobëtit të sotëm që ka qenë sundues barbar i Kosovës; por që tani është i mundur në luftë dhe në pakicë.
Kjo në fakt është e njohur në histori, sepse është psikologjia e pushtuesit të mundur në një luftë çlirimtare; dhe ai kërkon të tregohet si i persekutuar.
Por serbët janë sot në shtetin e pavarur të Kosovës dhe duhet ta dinë se sot pakica serbe në Kosovë nuk arrin dot as në 50 000 serbë; domethënë 0,3 përqind.
Dhe politika serbe e tembur se i del gënjeshtra në regjistrimet falas që ka bërë; u tregua naive që nuk pranoi të merrte pjesë në regjistrimin e popullsisë, i cili u bë në Kosovë gjatë këtij muaji.
Por serbët sot. asgjë nuk mund t’i bëjnë dot Kosovës; dhe tani kuptohet që ata e dinë se, forca e shqiptarisë, e cila është autoktone në Gadishullin Ilirik, është shumë e madhe dhe me një epërsi të dukshme kundrejt serbëve.
Dhe ndërkohë Kosova po armatoset me armë moderne, të marra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por na duhet të theksojmë se shqetësimi kryesor i politikës serbe sot është në pyetjen që atyre u rri e ngritur në mendje në çdo çast:
Çfarë do të bëjnë shqiptarët me të dy shtetet shqiptare të e pavarur që ata kanë sot në Ballkan: Shqipërinë dhe Kosovën?