
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka reaguar ashpër pas ngritjes së aktakuzës ndaj bashkëluftëtarit të tij, Faton Klinaku, për kanosjen ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2023.
Në një deklaratë publike, Haradinaj ka përdorur gjuhë të ashpër dhe ka rikujtuar kohën e luftës, duke thënë se “ata që na detyruan të lëshojmë vendin tonë, i kemi vrarë atëherë, dhe njëjtë do të vepronim edhe tani. Pra, këtë do ta bëja derisa të jem gjallë!”
Ndërkohë, Klinaku ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se as ai dhe as avokati i tij nuk janë njoftuar zyrtarisht për ngritjen e aktakuzës. Megjithatë, ai ka shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me kryeministrin Kurti në gjykatë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave për kanosje ndaj kryeministrit Kurti.
Në aktakuzë përfshihet një deklaratë e publikuar më 30 gusht 2023 nga Klinaku, ku ai kishte përsëritur një postim me përmbajtje kërcënuese:
“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe pritet të pasojë me zhvillime të tjera në ditët në vijim.