Lajme

“Kërkesat për anulimin e marrëveshjeve shihen si retorikë nacionaliste pa efekt real në kursin shtetëror”

Analisti politik Nijazi Halili vlerëson se protesta e organizuar në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk është rastësi, por një veprim i kalkuluar me simbolikë të qartë politike.

“Kjo datë përfaqëson një moment të ndjeshëm për opinionin publik në Serbi, veçanërisht për rrymat nacionaliste që nuk e pranojnë realitetin pas vitit 2008”, thekson Halili. Sipas tij, zgjedhja e përvjetorit synon mobilizim emocional. “Organizatorët përpiqen të forcojnë narrativën se dialogu me Kosovën ka sjellë vetëm ‘kompromise të dëmshme’ për interesat serbe”, shton ai.

Duke komentuar kërkesat e protestuesve, Halili thekson se ato përfaqësojnë kundërshtim të drejtpërdrejtë ndaj procesit të normalizimit.

Image
Nijazi Halili

“Kërkesa për anulimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit, tregon refuzim të hapur të dialogut”, deklaron ai.

Sipas tij, për këto grupe çdo marrëveshje interpretohet si hap drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës.

“Kjo është arsyeja pse ato kundërshtojnë çdo avancim në proces”, shprehet Halili.

Duke folur për organizatën “Tubimi serb”, ai e përshkruan atë si një platformë me orientim të theksuar nacionalist dhe sovranist.

“Kjo organizatë kundërshton integrimin evropian nëse ai kushtëzohet me kompromise për Kosovën dhe synon të ruajë interpretimin kushtetues serb për këtë çështje, duke ushtruar presion ndaj institucioneve për ndërprerjen e dialogut”, thotë ai.

Megjithatë, Halili vlerëson se në planin praktik, këto kërkesa nuk janë të zbatueshme pa pasoja.

“Anulimi i marrëveshjeve do të kishte efekte serioze për stabilitetin rajonal dhe për aspiratat evropiane të Serbisë”, thekson ai.

Në përfundim, ai e sheh protestën më shumë si një instrument politik sesa si sinjal për ndryshim real.

“Kjo protestë duhet parë si akt presioni dhe simbolikë politike, jo si tregues i një ndryshimi të menjëhershëm të kursit shtetëror të Serbisë”, përfundon Halili.

Të Ngjashme