Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kërkohet bashkëpunim me institucionet e sigurisë, Musliu: Serbia po përhap destabilitet përmes rrjeteve radikale

 
   

Eksperti i sigurisë Agim Musliu ka bërë apel për vetëdijesim dhe bashkëpunim me institucionet e sigurisë së Kosovës në kohën kur shteti fqinj Serbia po përhap destabilitet përmes rrjeteve radikale.

Pas arrestimit të pesë personave për spiunazh brenda vetëm një viti, Agim Musliu thotë se ka gjasa që numri i tërësishëm i agjentëve të Serbisë në Kosovë është shumë i madh.

“Besoj se kjo shifër është bërë e madhe për shkak të kohës kritike – prej fillimit të luftërave në vende të tjera (Siri e Ukrainë). Në kohë konfliktesh luftarake rriten apetitet e shërbimeve për të rekrutuar sa më shumë agjent”, ka shkruar ai në Facebook.

Musliu përkujton se Serbia asnjëherë nuk ka ndaluar që të përfshijë bashkëpunëtorë në mesin e shqiptarëve, në grupe të ndryshme, si te patriotët, të komunitetet e ndryshme fetare, tek ateistët dhe se historikisht bashkëpunëtorët e shërbimeve të inteligjencës së Serbisë, më shumë kanë qenë influencues sesa mbledhës të informacioneve sekrete.

“Personi që është shtirë si besimtar islam, i cili u arrestua këto ditë H.S., me siguri ka pasur rolin e sajuesit të problemeve, prandaj e kanë dërguar si luftëtar të ISIS-it në Siri”, ka thënë Musliu.

Ai thotë se zbulimi i bashkëpunëtorëve të armikut është sukses për sigurinë kombëtare.

“Kam një apel: puna e shërbimeve të fshehta dhe bashkëpunëtorëve të tyre nuk guxon të trajtohet nga secili. Janë organet e specializuara që e trajtojnë këtë çështje delikate. Në këtë rast, duke u nisur prej AKI-së e policisë, e deri tek organet e drejtësisë. Komunitetet e caktuara duhet të bashkëpunojnë me këto institucione. Ne akoma nuk jemi vetëdijesuar se lojaliteti ndaj shtetit tonë është akt patriotik! Akt tradhtie është lojalitetit ndaj shtetit tjetër”, ka përfunduar Musliu.