Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është kërkuar harmonizim me institucionet ditën e zgjedhjeve, në rast se mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani ka thënë se nevojitet planifikim i detajuar të dielën me 28 dhjetor, në rast se mund të paraqiten sfida të tilla.
I gjithë procesi i numërimit është i varur nga teknologjia, nevojitet plan i detajuar për ditën e zgjedhjeve, theksoi Elshani
“Duke parë që gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore ka ndërprerje të energjisë anë e kënd vendit, konsideroj që prej KQZ-së nevojitet një komunikim i drejtë me ministrinë por edhe me institucionet dhe organet tjera, në këtë rast me KEDS-in edhe me KESCO-n dhe KOSST dhe kushdo që është i nevojshëm për të harmonizuar edhe për të parë se ku mund të kemi sfida për ditën e zgjedhjeve. Pra po flasim për procesin e numërimit që bëhet pas orës 19:00 por edhe që ka të bëjë edhe me funksionalitetin edhe të kamerave në çdo vendvotim por edhe me kapacitetet ekzistuese të qendrave të votimit, shkollave në këtë rast me gjeneratorët në qoftë se janë të pajisur, konsideroj që nevojitet një planifikim i detajuar i sekretariatit në raport me secilën qendër të votimit por edhe në anën tjetër të shpalosim edhe sfidat tona që mund t’i kemi me qendrat komunale të numërimit, sepse i gjithë procesi i numërimit tashmë është i varur prej teknologjisë, nuk janë gjëra që bëhen manualisht”, theksoi ai.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se kjo çështje është diskutuar nga sekretariati por që do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme.
Kemi pasur takim me KED-in, Malisheva është zona më e rrezikuar, u shpreh Buzhala
“Para 10 dite kemi pasur një takim me KEDS-in në këtë sallë. Ajo çka i ka interesuar KEDS ka qenë çështja e gjeneratorëve që janë në dispozicion në qendra të votimit. Në këto të dhëna i kemi marr prej krejt Komisioneve komunale zgjedhore edhe ka prej qendrave të votimit që nuk ka fare gjenerator, ka edhe qendra të votimit që kanë gjenerator ose gjeneratori është i lidhur vetëm për ngrohje por jo ndriçim. Bazuar në zgjedhjet e kaluara KEDS në zona me problematike i ka ofruar vetë llampat në vend votime. Kësaj radhe kanë dashur që të shohin gjendjen e gjeneratorëve në mënyrë që përmes ekipeve të tyre në terren t’i aktivizojnë. Është e vërtetë që zona më e rrezikuar është Malisheva, është për shkak të transmisionit”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe çështja e orarit për numërimin e votave, ku anëtari Muharrem Nitaj ka ngritur çështjen që të ketë pushim me datën 1 janar.
Numërimi të vazhdojë me datën 2 janar prej orës 10:00, tha Nitaj
“Ne në mbledhjen e Këshillit të Operacioneve kemi vendosur që dita e punës në raport me procesin zgjedhor të vazhdojë edhe me datën 1 janar pas orës 16:00, ndërkaq me datën 31 dhjetor të vazhdojë deri në orën 12:00, nuk e di nëse është vendimi më i mirë i mundshëm, nëse ja vlen të angazhojmë ekipet e ndryshme me datën 1 janar në kohën kur 31 dhjetori është festë edhe eventualisht njerëzit mund të kenë telashe që të jenë plotësisht të angazhuar në ditën e nesërme. Po e hapi si dilemë nëse është mirë që me datën 1 janar të mos punohet, ndërkaq të vazhdojë numërimi me datën 2 janar prej orës 10:00”, ka thënë Nitaj.
Ndërkaq, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se për shkak të integritetit të procesit nuk duhet të ndalet aktiviteti i punës.
Nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë, u shpreh Krasniqi
“Duhet ta kuptojmë që jemi në proces zgjedhor dhe pjesë e përgjegjësive tona është që puna jonë të mos ndalet në mënyrë që ne një kohë sa më të shkurtër t’i bëjmë publike rezultatet e procesit zgjedhor edhe për kandidatët gjithashtu por pastaj edhe faza tjera të ankimimimit e deri te certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve kërkon nga gjitha subjektet, nga gjithë akterët të përfshirë në proces zgjedhor që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim.. Ne nuk guxojmë që të ndalim aktivitetin tonë që të ju nënshtrohemi festave, sepse është një proces i cili nuk guxon me pas ndërprerje për shkak edhe të aspektit sensitiv por edhe integritetit të vet procesit”, shtoi ai.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se komunat janë njoftuar për oraret e punës.
Me 31 dhjetor do të punohet deri në orën 12, me 1 janar prej orës 16, potencoi Buzhala
“Çështja e orarit është diskutuar edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore dhe është në pajtim që orari me 31 dhjetor të jetë deri në orën 12 edhe me 1 janar 2026 të vazhdojë prej orës 16:00. Lidhur me këtë dakordim, këtë pajtim të Këshillit të Operacioneve Zgjedhore, Sekretariati i KQZ-së i ka njoftuar të gjitha komisionet komunale zgjedhore, i kemi njoftuar përmes email-it, i kemi njoftuar edhe përmes platformës ëhatssup me datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Njoftimin vetëm e kanë pranuar”, ka njoftuar ai.

