Reagimi i Endrit Thaçit, i cili u bëri thirrje partive politike që të bashkohen për miratimin e ndryshimeve ligjore që do t’u mundësonin ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së të përfitonin nga një mundësi për lirimin e tyre, ka nxitur reagime të ashpra.
Gazetari dhe publicisti Vudi Xhymshiti ka kritikuar deklaratën e Thaçit, duke e vënë theksin te familjet e viktimave të luftës dhe duke e lidhur debatin për ndryshimin e ligjit me pasojat e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Endrit Thaçi, para se t’u bësh thirrje partive me u bashku për babanë tënd, ndalu te një derë ku dikush ende e mban fotografinë e të vrarit në mur. Pastaj pyete atë familje: kush bashkohet për ne? Kush na e kthen njeriun tonë? Ndalu te familja e Behajdin Allaqit, Endrit.
Ti po kërkon me e sjellë babanë tënd në shtëpi. Por ka fëmijë që janë rritë pa e pasur kurrë atë mundësi. Ka gra që i kanë pritë burrat. Nëna që i kanë pritë djemtë. Fëmijë që kanë mësuar çka është vdekja para se ta kuptonin jetën. Për ta nuk pati ndryshim ligji. Nuk pati parti që u bashkuan. Pati vetëm një karrige të zbrazët në shtëpi dhe një varr.
Dhe këtu mbaron propaganda. Gjykata konstatoi përgjegjësi penale për 385 ndalime arbitrare, 49 viktima të trajtimit mizor, 303 viktima të torturës dhe 96 viktima të vrasjes. Hashim Thaçiu dënua me 25 vjet burg. Gjykata konstatoi gjithashtu se ai dhe bashkë të akuzuarit kontribuuan ndjeshëm në qëllimin e përbashkët kriminal për shënjestrimin e kundërshtarëve të perceptuar.
Prandaj, Endrit, mos ua shit familjeve të të vrarëve dhimbjen tënde sikur të ishte më e madhe se e tyrja. Babai yt është gjallë. Mund t’ia dëgjosh zërin. Mund ta vizitosh. Mund t’i shkruash. Mund ta përqafosh kur të lejohet. Viktimat e babait tënd e kanë gurin. E kanë fotografinë. E kanë emrin. E kanë mungesën.
Ti ke çdo të drejtë ta duash babanë tënd. Por kur kërkon ndërhyrje politike për ta nxjerrë nga pasojat e një aktgjykimi për torturë dhe vrasje, nuk mund të kërkosh njëkohësisht që Kosova t’i mbyllë sytë para viktimave.
Para se t’u thuash partive “bashkohuni”, shko te familjet e viktimave dhe dëgjoji, dëgjoje familjen e Behajdin Allaqit. Sepse pyetja që mbetet nuk është vetëm kur do të kthehet Hashim Thaçi te djali i vet.
Pyetja është: kush ua kthen 96 të vrarët familjeve të tyre?
