Nëse Albert Einstein do të jetonte sot, ka gjasa të ishte i zhgënjyer nga sistemi arsimor, i cili shpesh mbështetet te memorimi mekanik dhe te garimi për nota të larta elementë që ai vetë i kundërshtonte. Për Ajnshtajnin, shumë më të rëndësishme ishin imagjinata, kureshtja dhe mendimi i lirë.
Këshilla e tij më e famshme për prindërit që duan fëmijë më të zgjuar ishte e thjeshtë: “Lexojini përralla. Pastaj lexojini edhe më shumë përralla.” Sipas tij, inteligjenca nuk ndërtohet vetëm me rregulla të forta dhe studim të thatë, por edhe me botën krijuese që hapin librat për fëmijë.
Kjo këshillë vjen nga një histori e publikuar në vitin 1958, ku Einstein i tha një nëne se rruga drejt një mendjeje shkencëtari fillon me zhvillimin e imagjinatës, të cilën e ushqejnë më së miri përrallat. Ai besonte se kreativiteti është mjeti kryesor i çdo kërkuesi shkencor.
Edhe vetë Einstein kishte përvojë të vështirë me shkollimin tradicional. Në moshën 15-vjeçare braktisi gjimnazin në Mynih për shkak të disiplinës së ashpër, ndërsa më vonë kritikoi sistemet arsimore që shtypin kreativitetin dhe kureshtjen. Madje, në një letër dërguar të birit, i këshilloi të luante në piano muzika që e bënte të lumtur, sepse mësimi i vërtetë ndodh kur kënaqesh me atë që bën.
Sipas studiuesve, përrallat nuk janë thjesht argëtim: ato forcojnë gjuhën, imagjinatën, emocionet dhe aftësitë logjike. Fëmijët që përpiqen të parashikojnë zhvillimin e një historie bëjnë të njëjtat “ushtrime mendore” që u duhen më vonë për të kuptuar konceptet shkencore.
Mesazhi i Einstein mbetet aktual: mësimi nuk lulëzon nën frikë dhe presion, por aty ku ka gëzim, kureshtje dhe liri mendimi. Përrallat sado të thjeshta krijojnë tema që shpesh librat shkollorë nuk i ofrojnë. Nëse duam fëmijë më të zgjuar dhe më krijues, mbase duhet të fillojmë nga më elementarja: pak më shumë magji para gjumit.
/vizionplus.tv

