Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar një rezolutë që dënon sulmet e Iranit ndaj vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), si dhe ndaj Jordanisë.
Rezoluta u miratua me 13 vota pro, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan.
E paraqitur nga Bahreini dhe e bashkësponsorizuar nga 135 vende, rezoluta theksoi “mbështetjen e fortë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë politike” të vendeve të GCC-së dhe Jordanisë.
Ajo dënon fuqishëm “sulmet e rënda të Republikës Islamike të Iranit kundër” vendeve të Gjirit dhe Jordanisë, duke theksuar se këto sulme “përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Rezoluta gjithashtu dënoi shënjestrimin e infrastrukturës civile, e cila “rezultoi me viktima civile dhe dëmtime të ndërtesave civile”.
Ambasadori i Bahreinit në OKB, Jamal Fares Alrowaiei, e përshëndeti miratimin e rezolutës, duke theksuar se “ajo dëshmoi se Këshilli është i përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
“Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që bashkësponsorizuan këtë rezolutë. Numri i tyre arriti në 135 vende. Kjo mbështetje e madhe nga komuniteti ndërkombëtar pasqyron një ndërgjegjësim kolektiv për rrezikun e sulmit të padrejtë iranian kundër vendeve tona”, shtoi ai.
