Këshilli i Sigurimit i OKB-së dështoi të miratojë një projektrezolutë që kërkonte masa të koordinuara “mbrojtëse” për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, pasi Rusia dhe Kina përdorën të drejtën e tyre të vetos, raporton Anadolu.
Projektrezoluta, e përgatitur nga Bahreini, mori 11 vota pro.
Kolumbia dhe Pakistani abstenuan, ndërsa Rusia dhe Kina përdorën fuqinë e tyre të vetos si anëtarë të përhershëm të Këshillit për të bllokuar rezolutën.
Projektrezoluta inkurajonte fuqishëm shtetet që të “koordinonin përpjekjet, me natyrë mbrojtëse, në përputhje me rrethanat, për të kontribuuar në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit, duke përfshirë edhe shoqërimin e anijeve tregtare dhe komerciale, dhe për të penguar përpjekjet për të mbyllur, bllokuar ose ndërhyrë në mënyrë tjetër në lundrimin ndërkombëtar përmes Ngushticës së Hormuzit”.
Ajo gjithashtu kërkonte që përpjekjet e koordinuara të anëtarëve të Këshillit të ishin “me natyrë mbrojtëse” dhe të merren “të gjitha masat e përshtatshme” për të siguruar që aktivitetet e tyre të kryhen “në përputhje të plotë me të drejtën humanitare ndërkombëtare”.
Po ashtu, rezoluta kërkonte të merret “parasysh plotësisht e drejta dhe liritë e lundrimit” të shteteve palë të treta, me qëllim sigurimin e një “kalimi të pandërprerë dhe të papenguar” përmes Ngushticës së Hormuzit.
Duke folur pas votimit, ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani, shprehu “keqardhjen” e tij ndaj Këshillit për dështimin në miratimin e projektrezolutës.
“Këshilli dështoi të marrë përgjegjësinë e tij në lidhje me një sjellje të paligjshme që kërkon veprim vendimtar pa vonesë”, tha ai.
Bahreini mban aktualisht presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit.
