
Sot u raportua se Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë amerikane (DOGE) i Elon Musk do t’i japë fund punës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), e cila ishte nisur si një agjenci ndihme amerikane nga ish-presidenti republikan George W. Bush për të ulur varfërinë dhe për të promovuar rritjen ekonomike në mbarë botën.
Kjo, sipas një incizimi të takimit të stafit dhe një email për stafin e parë nga Reuters.
Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës vitin e kaluar lansuan zbatimin e programit kompakt, që ishte i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.
Programi kishte vlerën prej 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo vlerë, 202 milionë ishin nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Në lidhje me këtë është ka reaguar ish – kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka akuzuar Qeverinë Kurti për prishjen e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka theksuar se refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 ka pamundësuar ndërtimin e një termocentrali me gaz në vend.
Postimi i plotë:
MCC po mbyllet❗️❗️
Kosova është ndër vendet që do pësojë më së shumti.
Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz.
Tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milion dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Kështu ndodh kur qeverisin bukëpërmbysurit, të cilët duke injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit refuzuan partneritetin me SHBA – shtetin që është përgjegjësi kryesor për ekzistencën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Këta gjithashtu refuzuan të pezullojnë tarifat e importit për produktet amerikane. Kjo qeveri po punon kundër interesave tona strategjike.