Në seancën e jashtëzakonshme plenare të pasdites në Kuvend, janë miratuar në parim dhjetë projektligje.
Fillimisht, pas një debati rreth 2-orësh, me 63 vota pro, 19 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Tregut.
Debat e diskutim pati edhe për Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, i njëjti kaloi në parim me 65 vota për dhe asnjë kundër.
Projektligji për Shërbimet e Pagesave kaloi me 63 vota për dhe një kundër. Ndërkaq, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim kaloi me 62 vota për, teksa dy ishin kundër.
Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 kaloi me 81 vota për dhe asnjë kundër.
Ai për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore kaloi me 61 vota për, teksa nëntë ishin kundër dhe një deputet abstenoi.
Projektligji për Banim Social dhe të Përballueshëm kaloi me 62 vota për dhe dy i pati kundër.
Me 62 vota për dhe asnjë kundër kaloi Projektligji për Shtetësinë e Kosovës, ndërkaq, me 61 për dhe 8 kundër ai për Lëndët Plasëse.
Projektligji i fundit në rendin e ditës, ai për Provimin e Maturës Shtetërore, kaloi me 62 vota për dhe tetë kundër.
Me këtë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i mbylli punimet e kësaj seance që nisi pak pas orës 17:00.
